Transmetuar më 14-06-2019, 15:22

Bashkitë e drejtuara nga partia demokratike i janë drejtuar përmes një shkrese Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, përmes së cilës kërkojnë zbatimin e dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Kryebashkiaku i Kavajës, Isa Sakja, në letrën e firmosur për KQZ-në, ministrisë së brendshme si edhe prefekturës Tiranë, kërkon që KZAZ nr 42 të ndërpresë të gjitha veprimet për afishimin e listave të zgjedhësve në të gjitha shkollat të cilat janë në pronësi të Bashkisë Kavajë.

Të njëjtën kërkesë ka dorëzuar pranë KQZ edhe kreu i Bashkisë së Matit Nezir Rizvani, si edhe kreu i bashkisë në Skrapar, Nesim Spahiu. Lirimin e ambjenteve të KZAZ me qëllim zbatimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit e kanë kërkuar edhe kryetarja e Bashkisë në Gjirokastër, Zamira Rami.

Dekreti i Presidentit është zbatuar edhe nga kryetarja e bashkisë Shkodër, e cila në letrën drejtuar KZAZ-ve në këtë qytet, kërkon prej tyre lirimin e mënjëhershëm të ambjenteve në funksion të procesit zgjedhor.

Kërkesa mban datën 14 qershor 2019 dhe i drejtohet Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor përkatëse.

Në kërkesë kërkohet heqja e listave të zgjedhësve të afishuara në institucionet arsimore si dhe lirimin e ambienteve nga KZAZ.