Transmetuar më 14-06-2019, 11:27

“Gjatë natës policia politike e Edi Ramës ka ndaluar me dhjetëra anëtarë të Partisë Demokratike Librazhd dhe Elbasan. Këto veprime janë reprezalje të hapura politike të qytetarëve që protestojnë kundër regjimit të Edi Ramës”.

Kështu tha kryedemokrati Lulzim Basha në një dalje për mediat ditën e sotme, pas arrestimit të shtatë personave në Librazhd, pas protestës së organizuar pasditen e djeshme në hyrje të qytetit, për të penguar kalimin e eskortës së Kryeministrit Edi Rama.

Ai deklaroi se këto arrestime vijnë pas ndalimit të afro 500 anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike në pesë muajt e fundit, ndërsa mbi 50 mbështetës mbahen paligjshmërisht në burgje.

Sipas tij, ky është bilanc regjimesh represive dhe jo i një vendi demokratik europian, ndërkohë që tha se sistemi i drejtësisë është shpartalluar, parlamenti është shpartalluar, administrata publike është politizuar në ekstrem.

Kreu i opozitës nënvizoi se Edi Rama pasi vuri nën kontroll të gjitha pushtetet po i përdor si vegla për të ushtruar dhunë ndaj çdo kundërshtari të tij me qëllim për të intimiduar qytetarët për tu tërhequr nga rruga kundër regjimi kriminal dhe në panik për humbjen e pushtetit.

“Rruga pa krye po e çon tashmë drejt greminës dhe kërkon të tërheqë me vete Shqipërinë. Në këtë rrugë ndihmohet nga dy persona, nga Sandër Lleshi dhe Arta Marku të cilët e kanë kthyer policinë dhe prokurorinë në vegla të krimit. Ju bëj thirrje policëve dhe prokurorëve të ndershëm që të mos iu binden urdhrave të paligjshëm”, deklaroi Basha.

Ai shtoi se këto akte represive thjesht po thellojnë me shpejtë gropën ku ka rënë Edi Rama dhe e bëjnë të pashmangshëm fundin e tij të keq dhe të bashkëpunëtorëve të tij.

“Asnjë hap pas deri në fitoren e demokracisë mbi narkoshetetin”, tha në mbyllje lideri i opozitës.

Ndërkaq policia tha se pas protestës së djeshme u arrestuan Bujar Vreto, 48 vjeç, kryetari i Degës së PD-së Librazhd; Aurel Bylykbashi, 53 vjeç, nga Elbasani ish-deputet i PD; Arjan Karriqi, 43 vjeç, nga Prrenjasi; Ervin Gurra, 32 vjeç, nga Librazhdi sekretari i PD-së, dega Librazhd; Dashamir Boja, 47 vjeç, nga Shtërmeni, Cërrik; Leonard Ozuni, 31 vjeç, nga Piskashi dhe Bujar Kllojku, 54 vjeç, nga Librazhdi. /a.y/noa.al

Protesta dhe sulmi i eskortës së Ramës me lëndë plasëse, arrestohen tre zyrtarë të PD dhe 4 të tjerë