Transmetuar më 12-06-2019, 09:23

Goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në Elbasan, në sajë të operacionit të koduar “Palestra”, gjatë të cilit u vunë në pranga katër persona.

Pasditen e kësaj të marte u bë arrestimi i R.R., 26 vjeç, B. A., 26 vjeç, D. P., 25 vjeç dhe V. T., 51 vjeç, të gjithë banues në Elbasan.

Gjithashtu u shpallën në kërkim tre persona të tjerë, për të cilët, për arsye hetimi, nuk bëhen me dije detaje të tjera.

Gjatë operacionit, në lagjen “Emin Matraxhiu” Elbasan, në automjetin që drejtohej nga shtetasi V. T., u gjet një sasi prej rreth 11 kg kanabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale bashkë me dy automjete dhe tre aparate celulare.

Kjo pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, sasinë e lëndës narkotike të dyshuarit do ta shpërndanin në qytetin Elbasan.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, e kryer në bashkëpunim. /a.y/noa.al