Transmetuar më 12-06-2019, 00:15

Administratori i Njësisë Administrative Kotë, në Vlorë, Argjil Gjoka u vra me armë zjarri, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje zyrtari vendor ndërhyri për të shuar një konflikt mes të paktën tre personave gjatë punimeve të një rruge në një zonë rurale, por u qëllua me armë zjarri nga një prej personave të përfshirë në konflikt dhe humbi jetën në spitalin civil.

Policia e Vlorës njoftoi për incidentin me një të vrarë dhe një të plagosur, por nuk dha hollësi për motivet e konfliktit dhe autorin e krimit.

Disa muaj më parë po në këtë njësi administrative ishte vrarë me armë zjarri administratori i mëparshëm.

Në nëntor të 2018-ës, është vrarë me armë ish-kreu i njësisë Administrative Kotë në Selenicë, Fatmir Hodo. Për ngjarjen në atë kohë u arrestua 44-vjeçari Admir Delaj nga fshati Gumenicë.

Vlora vazhdon të mbetet zona me kriminalitetin më të lartë në Shqipëri, i cili lidhet jo vetëm me përplasjet që lidhen me trafikun e drogës por edhe konfliktet e pronësisë.

Në raportimin e saj të fundit në Parlamentin shqiptar mbi kriminaliteti në vend gjatë vitit 2018 Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku pohoi pak ditë më parë se Vlora ishte zona me kriminalitetin më të lartë në vend. Zonja Marku apeloi për një bashkëpunim mes organeve ligjzbatuese për goditjen e krimit në qytetin bregdetar.