Transmetuar më 11-06-2019, 23:37

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi i ftuar në emisionin “Tempora” në RTV Ora u shpreh se kryeministri Edi Rama nuk mund të përcaktojë me Vendim të Këshillit të Ministrave datën e zgjedhjeve.

Sipas tij, “zgjedhjet në Shqipëri bëhen me dekret presidenti dhe jo me akte të tjera”.

“Mirë apo keq zgjedhjet në Shqipëri bëhen me dekret presidenti nuk bëhen me akte të tjera. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese është ajo  gropa e madhe nën themele që po bën zhvendosjen e dheut poshtë themelit, por nuk po mbushet. Tani themeli i ngrehinës parlamentare është thyer. Tani detyrohet Presidenti të luajë rolin e Gjykatës Kushtetuese, sepse po atë ishte aty do ishim duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për 1,2,3 arsye”, tha Bylykbashi.

Sipas tij 30 qershori nuk është më datë zgjedhjesh dhe se gjithashtu nuk i cakton dot kryeministri.

“Dekreti i djeshëm i Presidentit i hoqi Ramës një alibi, që 30 qershori është një datë kushtetuese. 30 qershori nuk është më. Nuk mund të cohet kryetari i një partie i madh apo i vogël dhe të thotë zgjedhjet i caktoj unë. Gjithashtu nuk i cakton dot kryeministri. Kryeministri ka zero zë në kapitullin e manaxhimit të zgjedhjeve. Ka rol ndihmës të rëndësishëm si qeveri për të garantuar një seri infrastruktuyrash që i duhen zgjedhjeve, por nuk ka rol drejtues dhe vendimarrës. Nuk cakton ai me VKM datën e zgjedhjeve”, tha Bylykbashi./a.k/noa.al/