Transmetuar më 11-06-2019, 17:46

Presidenti i Republikës Ilir Meta zbuloi se ka pasur një drekë sekrete me Kryeministrin Rama pak ditë përpara se të shfuqizonte dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit.

Kreu i shtetit tha se Rama e dinte shqetësimin e tij për këtë situatë të krijuar.

“Kemi pasur një drekë sekrete, e fundit para 10 ditësh, në Pallatin e Brigadave ku kemi biseduar dhe ai e di shumë mirë sa i shqetësuar jam unë për këtë situatë dhe tejkalimin e saj. I takonte atij të kërkonte datë tjetër për zgjedhjet”, tha Presidenti.

Meta thotë se Rama ka ende kohë për të reflektuar, ndërsa shton se ka pasur tentativë për t’u takuar edhe me kreun e Parlamentit, Gramoz Ruçi.

“Që në 24 maj dhe publikisht kam shprehur gatishmërinë time për t’i shërbyer një zgjidhjeje pas dakordësimit të palëve për të shfuqizuar datën 30 qershor e për të gjetur zgjidhje për një datë tjetër.

Kjo kërkesë e imja nuk ka funksionuar, dhe dy tre ditë para se të merrej ky vendim Rama ka qenë në TV dhe ka bërë të qartë se nuk e vë në diskutim 30 qershorin. S’kam bërë tentativë për të komunikuar me të atë ditë.

Më pas më ka nderuar duke vizituar Skraparin. E vërteta është se kam bërë përpjekje për të komunikuar me Ruçin, por ka qenë duke udhëtuar drejt Tepelenës, kjo është historia pse Rama s’ka qenë i surprizuar. Mëgjithatë ka kohë të reflektojë”, sqaroi Meta. /k.k/noa.al/