Transmetuar më 11-06-2019, 16:28

Presidenti Ilir Meta doli një konferencë të jashtëzakonshme në orën 16:00 ku deklaroi se ishte i detyruar të shfuqizonte dekretin për datën e zgjedhjeve.

Ai u shpreh se ka dalë në këtë konferencë për të gjithë ata që e kanë lexuar keq Kushtetutën. Duke ju drejtuar në mënyrë indirekte ndërkobmëtarëve, që mund ta kenë lexuar gabim kushtetutën shqiptare nga përkthimet sipas tij jo të sakta, Meta ka cituar disa pjesë nga Kushtetuta.

"Me përgjegjësi të lartë në datën 8 qershor para zhvillimit të protestës bëra publik vendimin për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve. Vendimi u mor me përgjegjësi të plotë nisur nga faktet dhe informacionet se në datë 8 qershor mund të kishte destabilitet për jetën e qytetarëve dhe rendin Kushtetues. Dje bëra të ditur argumentet. Që në momentin e shpalljes së vendimit kam vënë re për fat të keq disa reagime të ndryshme se Presidenti ka shkelur Kushtetutën duke krijuar qëllimisht një gjendje emullie.

Duke e ditur fort mirë që në Tiranë qarkullojnë edhe disa modele të ndryshme të Kushtetutës edhe disa të përkthyera gabim. Jam i detyruar që të dal para jush për ata që kanë lexuar një tekst të lexuar keq. Ju bëj me dije se Kushtetuta zyrtare është kjo këtu që po iu tregoj unë. Kushtetuta që nga neni 1 dhe deri në fund nuk përcakton afatin kur zhvillon zgjedhjet, nuk thotë që zhvillon në datë 30 të këtij muaji apo tij, këto i ka Kodi Zgjedhor. Edhe partitë e dinë mirë sa e kanë respektuar. Në disa raste kanë ndryshuar jo Kodin por edhe Kushtetutën brenda një nate. Si shpjegohet se ish-presidentët që kanë shtyrë zgjedhjet nuk janë akuzuar se kanë shkelur Kushtetutën, por kanë bërë zgjedhjen më të mirë për vendin referuar rrethanave", tha Presidenti.

Më tej Meta ju drejtua qytetarëve shqiptarë duke thënë se zgjedhjet do të mbahen në një datë tjetër pas 30 qershorit brenda një afati të caktuar. Ai po ashtu ju drejtua edhe palëve politike të gjejnë dakordësi për të caktuar datën e re të zgjedhjeve vendore. Ai kërkoi që palët të ulen në dialog për zgjidhjen e kësaj krize.

"Zgjedhjet do të zhvillohen në një datë të mëvonshme në një afat të arsyeshëm në respekt dhe në frymën e Kushtetutës. Ndërkohë që Presidenti u bën thirrje palëve që ta lexojnë Kushtetutën, të thellohen dhe të shfrytëzojnë hapësirën për të gjetur zgjidhjen për krizën përfshirë datën e re. Presidenti garanton popullin se është në detyrë dhe gati të marrë vendime të rëndësishme në përputhje me kompetencat për t’i shërbyer interesit kombëtar. Bëj thirrje për dialog, pasi do të ndihmonte në çeljen e negociatave", tha Meta.