Braçe i vendosur për zgjedhjet: Të njëjtët politikanë, dogjën 2 breza, po përvëlojnë të tretin
Transmetuar më 11-06-2019, 12:44

Zëvendëskryeministri Erion Braçe shprehet i bindur se zgjedhjet lokale do të mbahen më 30 qershor. Me një reagim të gjatë në llogarinë e tij në “Instagram”, numri dy i qeverisë ka hedhur akuza të forta për opozitën, ku shton se të njëjtët politikanë kanë djegur dy breza në 30 vitet e fundit dhe po pëpiqen të përvëlojnë tashmë edhe të tretin.

“Në 30 vite, të njëjtët politikanë, dogjën dy breza dhe po përvëlojnë të tretin! Në fillim brezin e babait, pastaj brezin e djalit, tani të nipit/mbesës! Janë të njëjtet shkatërrues, të njëjtët zjarrëvënës, të njëjtët hajdutë, të njëjtët dhunues e vrasës! Kaq të lirë e kemi jetën ne shqiptarët sa, çdo dhjetëvjeçar falim nga një brez tek politika e të njëjtëve terminatorë? Kanë dy partitë e tyre, por gjithnjë vjedhin bashkë, dhunojnë bashkë, vënë zjarrin bashkë, vrasin bashkë, Marrin jetën e brezave po bashkë! Jo më! 30 vjet, 3 breza janë shumë! Boll më!”, shkruan Braçe.

Ai shprehet se fëmijët e sotëm nuk i kanë asnjë borxh kësaj politike. Gjithashtu Braçe komentoi edhe vendimin e presidentit Ilir Meta, i cili firmosi dje “Live” para kamerave zhdekretimin e datës së zgjedhjeve lokale. Sipas Braçes, dita e djeshme ishte një akt kriminal ndaj të drejtës së votës.

“Nuk ka asnjë arsye që brezi i fëmijëve të sotëm të përvelohet në zjarrin e këtyre! Përkundrazi, ky duhet të jetë brezi që bën drejtësi për dy të tjerët- prindërve e gjyshërve! #Drejtësia e re është për ta, e ardhme për ta e për çdo brez që do i pasojë. Kurrë nuk do jenë të barabartë pa #DrejtesinëeRe! Një vend pa këtë #Barazi kurrë nuk do të ketë një brez tjetër, të ri dhe garanci për këtë vend! #TëBarabartë tani, #DrejtësiaeRe është mundësia, garanti për të drejtat themelore, nisur nga e drejta e votës-sulmuar kriminalisht dje, aksesi i drejtë dhe përfshirës në arsim e shëndetësi, pjesmarrja në punesim, prodhim, të ardhura! #TëBarabartë tani!Me votë, në #30Qeshor”, përfundon Braçe./b.l/noa.al/

Loading...
loading...
Loading...