Transmetuar më 11-06-2019, 10:03

Seanca parlamentare e së enjtes do të jetë e mbushur me debate lidhur me dekretin e Presidentit Ilir Meta, për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe kërkesën e Partisë Socialiste për shkarkimin e tij.

Është ky vendimi i marrë ditën e sotme në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, me praninë edhe të opozitës së re parlamentare. Mësohet se dekreti do të jetë pika e parë e rendit të ditës.

Në kërkesën e Partisë Socialiste thuhet se, “Pasi u njohëm me aktin e paprecedent të Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018, ‘Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore’ dhe duke e vlerësuar atë si një akt absolutisht të pavlefshëm, të marrë në kapërcim të kompetencave të institucionit të Presidentit dhe në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese dhe demokratike, si dhe duke konsideruar se ky akt synon të pengojë në mënyrë të kundërligjshme realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptare për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor, bazuar në nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë zhvillimin e një mocioni me debat në seancën më të parë të Kuvendit për këtë çështje, në përfundim të të cilit propozojmë miratimin e një rezolute sipas draftit bashkëngjitur”.

Gjithçka pasi kreu i shtetit firmosi anulimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit.

Menjëherë pas këtij vendimi PS mblodhi Kryesinë, ku akti i Presidentit u cilësua i paprecedentë dhe në kundërshtim me Kushtetutën, duke kërkuar shkarkimin e tij. /a.y/noa.al