Transmetuar më 10-06-2019, 11:56

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ditën e mërkurë do të jetë në Kosovë.

Këshilli Organizativ për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, bën me dije se Clinton dhe ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, do të qëndrojnë në Kosovë për të shënuar hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë 20 vjet më parë.

“Më 12 qershor 2019 Kosova shënon 20 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-së. Ne jemi duke shënuar këtë përvjetor historik të Kosovës bashkë me miqtë dhe aleatët tonë me të cilët ndajmë vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë. Njëkohësisht, ne po nderojmë të kaluarën tonë dhe vizionin tonë për paqe të qëndrueshme.

Ish- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në shënimin e 20 viteve të lirisë, dhe do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosov”, thuhet në njoftim.

Bill Clinton ishte President i SHBA-ve, kur më 24 mars të vitit 1999, nisën sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër bazave serbe. /a.y/noa.al