Transmetuar më 09-06-2019, 13:00

E kanë pagëzuar si “juristja seksi”, por asaj i pëlqen të vendosë peshoren mes bukurisë dhe zgjuarsisë së saj, pasi ndihet e realizuar. Redona Koçi thotë se është më fat që ka lindur e bukur, dhe nuk do ndalet, duke ndjekur pasionin e saj për fotografinë bashkë me ambicien për t’i hyrë një ditë televizionit. Fotomodelja misterioze, që çudit ndjekësit me pozat prej kukulle dhe jetën e bukur që bën, rrëfen jetën e saj jashtë virtualitetit në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Një juriste në botën e modës. Si reagojnë njerëzit kur njihen me profesionin tënd?

Njerëzit më tepër më njohin si modele sesa juriste, sepse modelingun kam ushtruar, ky është pasioni im, ndërsa juridiku është një shkollë e përfunduar, por jo e ushtruar.

Bën shumë përshtypje në rrjetet sociale me pozat e tua. E ke menduar t’i hysh televizionit dhe ku mund të të shohim?

Ajo që unë dashuroj më së shumti është që të pozoj para aparatit fotografik, prandaj edhe nuk e kam menduar botën e televizionit. Jo, nuk e kam menduar, por po e mendoj meqenëse ma propozuat (qesh). Në një të ardhme nuk i dihet (Kurrë mos thuaj kurrë!).

Është krijuar një brez i ri vajzash “Instagram”-i që bëjnë shumë përshtypje me jetën e ëndërruar të luksit. Po ti ç’përgjigje do u jepje atyre që të pyesin për jetën e shtrenjtë?

E rëndësishme për mua është të bësh një jetë të lumtur me personat e zemrës. Sa për luksin, të gjithë e duam, të jemi realiste, por çdo gjë vjen gradualisht.

Paraja për ty është qëllim në vetvete, dhe si do e shtosh pasurinë?

Paraja është diçka, por nuk është gjithçka. Sa për pasurinë, po rritet pak nga pak (qesh).

Ç’të duket e padrejtë në mënyrën si meshkujt sillen me femrat në Shqipëri? Ti vetë çfarë nuk do të toleroje?

Një ndër elementët kryesore dhe të patolerueshëm është dhuna ndaj femrës. Kjo është ndër faktorët kryesorë, të cilin unë nuk do e toleroja, që femra të diskriminohet brutalisht.

Në një intervistë je shprehur se të kanë bërë ofertë pune me një shumë të madhe. Cila është shifra më e madhe që të kanë propozuar?

Shifrat janë të mëdha dhe të ndryshme, por futen te të parëndësishmet, për mua, kur në punë mungon korrektësia, disiplina dhe serioziteti, kulturë e cila mungon në vendin tonë, fatkeqësisht.

Të mbash trupin e një kukulle, sa e mundur është, dhe çfarë bën ti specifikisht për linjat?

Së pari, faleminderit për komplimentin! Unë, përveç gjenetikës, ushqehem shëndetshëm dhe ushtrohem në palestër për të mirëmbajtur atë çfarë nëna natyrë më ka dhuruar.

Ekstremet që mund të kesh arritur në stilin e jetës që bën, hobet e tua?

Hobe kam shumë, por asnjërën s’e kam arritur në ekstrem. Më pëlqen të shijoj jetën në mënyrë lineare.

Si ndihesh në lidhje me orën biologjike, mendon se ka një kohë ideale për të sjellë në jetë fëmijë dhe momenti është pikërisht tani?

Ndihem mjaft mirë edhe për 10 vite të tjera me orën biologjike. Momentalisht, s’e kam në plan të lind fëmijë, por nëse vjen e mirëpresim! (Qesh)

Për ata që janë skeptikë për zgjuarsinë e një vajze të bukur, ç’përgjigje do u jepje?

Nëse je e bukur nuk do të thotë që nuk ke një karakter të fortë dhe zgjuarsi, sepse femrat e bukura nuk janë vetëm për të tërhequr meshkujt. Prandaj bukurinë dhe zgjuarsinë bashkë njerëzit i shohin si diçka të paarritshme dhe të frikshme te një femër.

Ti je bukuroshja e fjetur apo e bukura dhe bisha?

E bukura dhe bisha.