Transmetuar më 09-06-2019, 07:44

Thuajse një e treta e popullsisë shqiptare ka zgjedhur të jetojë dhe punojë në një nga shtetet e BE-së. Eurostat publikoi të dhënat mbi lejet e vlefshme të qëndrimit të qytetarëve jo-europianë, duke i kategorizuar sipas arsyes pse është dhënë kjo leje. Mbi 867 mijë shqiptarë kanë qenë të pajisur me një leje të tillë në 2017-n, viti i fundit me të dhëna të përditësuara nga të gjitha shtetet anëtare. Greqia dhe Italia kanë lëshuar pjesën më të madhe të këtyre lejeve, 94% të totalit të tyre. Pjesa tjetër janë lëshuar nga Gjermania, 3% e totalit, ndërsa në Belgjikë, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, përkatësisht nga 1% e lejeve të tjera të dhëna për shqiptarët nga vendet e BE-së.

Të parët në rajon

Një nga sfidat më të mëdha që po përballen vendet e rajonit perëndimor është emigrimi, ku largimi i popullsisë po cenon rritjen ekonomike dhe rënien e produktivitetit të këtyre vendeve. Por duket se plagën më të madhe të këtij fenomeni e ka Shqipëria. Sipas të dhënave të Eurostat mbi lejet e qëndrimit të lëshuar nga vendet e BE-së dhe përllogaritjet e ‘Monitor’ bazuar në numrin e popullsisë, shqiptarët janë të parët në rajon për numrin më të lartë të individëve të pajisur me leje qëndrimi.

Për çdo 1000 banorë në Shqipëri, janë dhënë nga vendet e Bashkimit Europian rreth 302 leje qëndrimi për arsye të ndryshme. Kjo është një shifër gati dy herë më e lartë se në Kosovë, vendi i dytë i Ballkanit Perëndimor për sa u përket të pajisurve me leje në një nga vendet e komunitetit europian. Në Kosovë, për çdo 1000 banorë, BE-ja ka pajisur me leje qëndrimi 166 individë nga Kosova.

Ndërsa në vend të tretë renditet Bosnja, ku ky raport është 109 leje/1000 banorë që jetojnë aktualisht në Bosnjë. Kjo do të thotë se për çdo boshnjak të pajisur me leje qëndrimi në BE, ka 3 shqiptarë të pajisur me leje. Ndryshe nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja janë vende të cilat kanë pasur konflikte të përgjakshme dhe emigracioni ka qenë një fenomen mjaft i përhapur, si vende të dala nga lufta.

Në Maqedoninë e Veriu, lejet e qëndrimit për 1000 banorë në 2017-n përllogariten të jenë 99. Më pas ndiqet Serbia me 69 leje qëndrimi për çdo 1000 banorë. Mali i Zi është vendi me numrin më të ulët të lejeve të qëndrimit në raport me popullsinë, ku sipas Eurostat në 2017-n ishin lëshuar 47 leje/1000 banorë atje.

Po cilat janë arsyet pse janë lëshuar këto leje?

461 mijë shqiptarë janë pajisur me leje qëndrimi për arsye familjare. Kjo përbën rreth 53% të totalit të lejeve. Më pas renditen lejet e dhëna për punësim. Mbi 185 mijë shqiptarë ishin të pajisur me leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së për arsye punësimi. Italia zë pjesën më të madhe të këtyre lejeve, 75% të tyre, duke u ndjekur nga Greqia me 22%. Gjermania përgjigjet për 2% të këtyre lejeve. Me leje qëndrimi për arsye punësimi ishin pajisur në 2017-n rreth 3400 individë në Gjermani. Në krahasim me një vit më parë, numri i të pajisurve me leje për punë ishte më shumë se dyfishuar.

Për arsye shkollimi, Eurostat ka të regjistruara 6,749 leje qëndrimi. Lejet e qëndrimit për arsye shkollimi mbizotërojnë në Itali me 39% të totalit të lejeve për këtë kategori dhe 29% në Gjermani. Mbretëria e Bashkuar, Austria dhe Franca kanë dhënë përkatësisht nga 7% të totalit të lejeve të kësaj kategorie. Ndërsa Greqia, edhe pse ka 44% të totalit të lejeve të lëshuara, përgjigjet vetëm për 2% të lejeve të qëndrimit për arsye shkollimi.

Një pjesë e shqiptarëve të pajisur me leje qëndrimi kanë marrë status refugjati ose kanë përfituar mbrojtje sociale. Në 2017-n, Eurostat përllogariti se ishin 2533 individë nga Shqipëria të pajisur me leje qëndrimi për këtë arsye. Rreth 45% e këtyre lejeve ishin dhënë nga Franca, apo 45% e totalit të kësaj kategorie, dhe 25% nga Belgjika, duke u renditur kështu si dy shtetet kryesore që kanë dhënë më shumë statusin e refugjatëve për shqiptarët. Më pas renditet Italia me 11% dhe Gjermania me 9%. Ndërsa, 4% e tyre janë dhënë nga Mbretëria e Bashkuar.

Pothuaj po aq leje u janë dhënë azilkërkuesve. Sipas Eurostat, 2478 leje janë dhënë për arsye të mbrojtjes sociale. Kjo leje ju lëshohet të gjithë azilkërkuesve që nuk e kanë marrë ende statusin e refugjatit. Franca ka lëshuar gjatë 2017 rreth 2000 leje të tilla, ndërsa për 2018-n, numri i lejeve për mbrojtje arriti në 2500. Franca po kthehet në një nga destinacionet kryesore të azilkërkuesve nga Shqipëria, pas Gjermanisë, e cila ka politika më strikte. Në Gjermani, vetëm 262 shqiptarë u pajisën me leje për arsye të mbrojtjes sociale, gati 10 herë më pak se në Francë.

Megjithatë, Bashkimi Europian ka pajisur edhe 208 mijë shqiptarë të tjerë me leje qëndrimi, por që nuk ka klasifikuar arsyen pse është lëshuar ajo leje qëndrimi. Rreth 91% e këtyre lejeve janë lëshuar në Greqi, pasuar nga Italia (6900 leje) dhe nga Gjermania (6100 leje) me përkatësisht 3%. Ndërsa në Belgjikë dhe Francë janë lëshuar përkatësisht 1% e këtyre lejeve.

Më shumë leje qëndrimi u lëshuan nga BE për qytetarët nga vendet jo-anëtare, por më pak për shqiptarët

Stoku i lejeve të qëndrimit për shqiptarët shënoi vitin e dytë me rënie në 2017-n. Rekordi më i lartë i lejeve të qëndrimit u regjistrua në fund të 2015-s, ku sipas Eurostat, rreth 922 mijë shqiptarë kishin leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së. Ky numër u tkurr me gati 6%, apo rreth 55 mijë leje më pak.

Vendet që patën reduktimin më të lartë të lejeve të qëndrimit ishin vendet ku janë të përqendruar më shumë shqiptarët, Italia dhe Greqia, të cilat kanë lëshuar rreth 94% të lejeve. Në Itali, numri i lejeve të qëndrimit është reduktuar me gati 60 mijë leje më pak, ndërsa në Greqi numri u reduktua me 11 mijë leje.

Ndërkohë Gjermania është një nga vendet me rritjen më të madhe të lejeve të qëndrimit për shqiptarët, me gati 80% në dy vitet e fundit me të dhëna të përditësuara, me mbi 10 mijë leje më shumë në totalin e stokut. Pjesa më e madhe e lejeve të shtuara të qëndrimit janë dhënë për arsye familjare, të cilat kanë qenë rreth 4520 më shumë në dy vitet e fundit.

Lejet e dhëna për arsye familjare janë rritur për shkak të individëve që kanë marrë leje për arsye punësimi. Lejet për këtë kategori shënuan rritje me gati 2700 leje më shumë. Individët që pajisen me leje qëndrimi në Gjermani, apo ndryshe karta blu, kanë të drejtë që të marrin edhe familjarët e tyre atje, bashkëshortët dhe fëmijët. Rritje ka pasur edhe në lejet e qëndrimit të dhëna për studentët shqiptarë që kanë zgjedhur Gjermaninë.

Po ashtu rritje të lejeve të dhëna janë shënuar edhe nga Franca, ku sipas të dhënave të Eurostat, në dy vitet e fundit janë lëshuar 50% më shumë leje, apo rreth 2600 leje më shumë. Duke analizuar lejet e ndara sipas kategorive, shikojmë se Italia ka reduktuar numrin e lejeve të dhëna për arsye familjare, ku në dy vitet e fundit, stoku ka rënë me 40 mijë dhe gjithashtu ka reduktuar lejet që janë dhënë për arsye punësimi, me rreth 21 mijë. Krahasimi i të dhënave është bërë duke marrë vit bazë 2015-n, ku është shënuar edhe rekordi më lartë i lejeve të lëshuara për shqiptarët.

Në fund të 2017-s në vendet e Bashkimit Europian ishin rreth 20.3 leje qëndrimi të vlefshme të dhëna për qytetarë të vendeve jo anëtare të BE-së. Kjo leje i jep mundësinë atij që e mban të jetojë në një nga vendet BE-së. Gjermania (23%), Italia (18%), Franca (14%), Spanja (13%) dhe Mbretëria e Bashkuar (8%) përgjigjeshin për tre të katërtat e totalit të lejeve të dhëna për qytetarët nga vendet jo anëtare.

Sipas statistikave të Eurostat, stoku i lejeve të dhëna për qytetarët nga vendet jo-anëtare u rrit me 5% në krahasim me një vit më parë. Pjesa më e madhe e shteteve raportuan një numër në rritje të lejeve të vlefshme.

Norma më e lartë e rritjes u shënua në Hungari, ku stoku u rrit me 113%, e ndjekur nga Bullgaria (41%), Malta (25%) dhe Sllovakia me 21%.

Ndër 5 vendet anëtare të BE-së me përqindjen më të lartë të lejeve të qëndrimit, Gjermania shënoi rritjen më të madhe, me numrin e lejeve që u rrit me 14% nga fundi i viti 2016 në fund të vitit 2017. Gjithashtu rritje është shënuar edhe në Francë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë grup, Italia shënoi rënie të lejeve me 3%. Vende të tjera që shënuan rënie në totalin e stokut janë: Estonia, Çekia, Letonia, Greqia dhe Rumania. Rreth dy të pestat (38%) të totalit të lejeve të qëndrimit në fund të 2017-s u lëshuan për arsye familjare, rreth 16% për arsye punësimi, 7% si status refugjati apo mbrojtje sociale dhe 6% për arsye shkollimi.