Një epokë e re ka filluar, jepen licencat për 5G
Transmetuar më 08-06-2019, 00:49

Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit e Kinës dha të enjten licenca 5G për përdorim komercial, duke shënuar fillimin e një epoke të re për industrinë e telekomunikacionit të vendit.

Grupi i parë i marrësve të licencave 5G përfshin “China Telecom”, “China Mobile”, “China Unicom” dhe Rrjetin e Transmetimeve të Kinës(CBN).

Kjo do të thotë që marrësit mund të fillojnë të përdorin aplikacionet komerciale të 5G-së. Në fund të vitit të kaluar atyre u ishte dhënë një licencë për testimin.

Standardi i rrjetit 5G shihet si shumë i rëndësishëm sepse mund të mbështesë gjeneratën e ardhshme të pajisjeve të lëvizshme përveç përdorimeve të reja si automjetet pa drejtues.

Zëvendëspresidenti i “China Mobile”, Li Zhengmao, tha se këtë vit, kompania ka nisur të ndërtojë rrjet tregtar 5G në më shumë se 40 qytete të vendit.

“Pas marrjes së licencës, do të vijojmë të ecim përpara. Përdoruesit tanë nuk kanë nevojë të ndryshojnë numrat e telefonit ose kartat e tyre SIM për të përdorur shërbimin 5G”.

Rrjeti 5G pritet të jetë të paktën 10 herë më i shpejtë se 4G-ja në transmetimin e të dhënave.

Përsa i përket çmimit, një zyrtar nga “China Unicom”, Wang Qiming, tha se deri në fund të vitit të ardhshëm, telefonat 5G do të vijnë duke u bërë më të lirë.

“Për momentin, telefonat 5G kushtojnë rreth 10 mijë juanë në tregun kinez. Ne parashikojmë se në gjysmën e dytë të këtij viti do të ketë telefona me rreth 5 mijë juanë. Në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm do të ketë telefona që do të kushtojnë 1 mijë deri në 2 mijë juanë (midis 145 e 290$), që do të thotë se më shumë përdorues mund të kenë mundësi të përdorin rrjetin 5G me një çmim të arsyeshëm”.

Tre kompanitë kryesorë të telekomunikacionit të Kinës parashikohet të shpenzojnë 900 miliardë deri në 1.5 trilion juanë në ndërtimin e rrjetit 5G nga viti i ardhshëm deri në 2025-n.

Analistët thonë se Kina do të bëhet tregu më i madh 5G në botë deri në vitin 2025 me rreth 460 milionë përdorues 5G. Ndërsa, teknologjia pritet të gjenerojë rreth 1.5 trilion dollarë amerikanë dhe mbi 3 milionë vende pune në periudhën 2020-2025.

Prodhuesi kinez i pajisjeve të telekomunikacionit “Huawei”s tha në një deklaratë të enjten se është gati të ndihmojë vendin në përshpejtimin e përdorimit komercial të 5G-së.

Loading...
Loading...