Transmetuar më 07-06-2019, 03:20

Kanë kaluar disa ditë ose rreth një javë nga tërmetet e vazhdueshme të 1 qershorit.

Banorët sidomos në fshatin Floq vazhdojnë të ndihen të terrorizuar, pasi lëkundjet ende vazhdojnë.

Një pjesë e tyre shkojnë gjatë ditës në banesa dhe mundohen të merren me bagëtitë apo të shpëtojnë diçka nga sendet e tyre.

E ata vazhdojnë të jenë në pritje të ndihmave dhe të rindërtimit të banesave ndërkohë që vijojnë të jetojnë në çadra.

Kurse një pjesë e tyre strehohen në ambjentet e shkollës së fshatit.

Nga tërmetet e 1 qershorit janë dëmtuar rëndë 95 ndërtesa në total në fshatrat e Korçës, Kolonjës e Devollit, ndërsa 212 ndërtesa kanë dëmtime më të lehta.

Gjithashtu janë edhe 5 shkolla si dhe 8 kabina elektrike të dëmtuara.

Për familjet e mbetura pa strehë, përveç çadrave të ngritura nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, ofrohet edhe shërbimi i kujdesit shëndetësor 24 orë dhe trajtimi ushqimor.