Mosçelja e negociatave, si po rrezikohet Maqedonia e Veriut nga nacionalistët, pas paktit me Greqinë
Transmetuar më 07-06-2019, 04:24

Nëse vendi nuk merr datë për fillimin e negociatave, ekziston rreziku që qeveria të bjerë, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Në takim me gazetarët në Bruksel në përfundim të takimeve me zyrtarët evropiane, Zaev ka thënë se shtyrja e vendimit në parlamentin gjerman dhe si pasojë shtyrja e datës për fillim të negociatave rrezikon përforcimin e fuqive nacionaliste dhe humbjen e shumicës në Kuvend.

Edhe procesi i ristrukturimit të qeverisë sipas kryeministrit, varet nga vendimi për datën.

Eurokomisioneri për Zgjerim, Johanes Hahn, në një mëngjes pune me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ka tentuar të nxisë vendim pozitiv për dhënien e pëlqimit që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat për anëtarësim, por deri më tani nuk ka detaje nga takimi.

Kur na ndajnë rreth dy javë nga takimi i ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, akoma nuk dihet qëndrimi i tyre përfundimtar për Maqedoninë e Veriut.

Takimi i kryeministrit Zoran Zaev në Bruksel duket se nuk ka ndryshuar asgjë.

Presidenti i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker pas takimit me Zaevin pranoi se disa vende akoma janë kundërshtare të hapjes së negociatave tani.

“Unë e di se disa shtete anëtare kanë shqetësime. Unë do të bëj gjithçka që është në fuqinë time për t’i bindur ato”-theksoi Zhan Klod Junker, president i Komisionit Evropian.

Junker megjithatë ka theksuar se në bazë të fakteve objektive, Maqedonia e Veriut është e gatshme për hapin e radhës.

Loading...
Loading...