Transmetuar më 06-06-2019, 13:24

Vonesat postare janë të njohura, por kësaj radhe bëhet fjalë për një rekord absolut. Një gruaje i mbërriti këtë fillim javë në shtëpinë e saj një kartolinë, e cila ishte dërguar në vitin 1907, por që mbërriti në destinacion thuajse 112 vite më vonë .

Historia e pazakontë vjen nga Plymouth, në Angli. 24-vjeçarja Michaela Webber, e martuar dhe me një fëmijë, gjeti në kutinë postare të shtëpisë ku jeton qysh prej vitit 2014 me të shoqin Ben, kartolinën drejtuar një gruaje me emrin Vie.

Kartolina ishte shkruar për Krishtlindjet e vitit 1907 dhe në të shkruhej, “E dashur Vie, mos u mërzit nëse nesër nuk arrij që të vij, por nuk jam mirë. Shpresoj që në shtëpi të jeni të gjithë mirë. Ju puth, Abert”.

Michaela mbeti e befasuar nga kartolina bardhë e zi, ndërsa rezultoi se kartolina ishte dërguar pak ditë para Krishtlindjeve të vitit 1907 nga një kazermë ushtarake, e cila nuk ekziston më, por që asokohe rrinin ushtarët britanik, deri në përfundimin e Luftës së Parë Botërore, shkruan noa.al.

Duke bërë disa kërkime, Michaela zbuloi se kartolina ishte drejtuar për Vie Wiltshire, një grua e cila kishte jetuar në shtëpinë e blerë prej saj, qysh prej vitit 1901, por që disa vite më vonë ishte transferuar në Southampton, ku dhe kishte ndërruar jetë në vitin 1990. /a.y/noa.al