Shqiptarët janë të parët në Gjermani që marrin ndihmën e kthimit
Transmetuar më 06-06-2019, 11:01

Më shumë se 100 mijë azilkërkues marrin që nga viti 2014 para që të largohen nga Gjermania, në formë ndihme. Shqiptarët renditen të parët për marrjen e saj.

Kush kthehet vullnetarisht pas një procedure azili të dështuar mund të aplikojë për ndihmë financiare të kthimit. Për autoritetet gjermane ky variant është ai më pak i kushtueshmi, se sa dëbimi. Por një pjesë e këtyre personave rikthehet prapë në Gjermani.

Që nga viti 2014, kur kjo ndihmë ofrohet, e kanë marrë atë më shumë se 100.000 vetë, shkruan agjencia e lajmeve dpa. Por sipas përgjigjes së qeverisë gjermane ndaj kërkesës së grupit parlamentar liberal, FDP në Bundestag afër 2% e tyre rikthehen sërish në Gjermani. “2506 persona nga 102.761 azilkërkues të refuzuar që janë larguar vullnetarisht, kanë bërë pas rikthimit në Gjermani kërkesë pasuese për azil në vitet 2017-2019’, citon dpa përgjigjen e qeverisë gjermane.

Shqiptarët renditen të parët tek ata që e marrin ndihmën gjermane të kthimit, i ashtuquajturi program i federatës dhe landeve për rintegrimin, 1345 vetë. Serbët po ashtu, 1088 renditen ndër ata që e pranojnë më shpesh këtë ndihmë. Por edhe shumë azilkërkues të refuzuar nga Gjeorgjia, Rusia, Maqedonia veriore dhe Iraku e marrin ndihmën e kthimit. Më pak ky program është përdorur nga azilkërkues të refuzuar nga Afganistani dhe Turqia.

Paratë kthehen në rast të rikthimit në Gjermani

Por parimisht një azilkërkues mund të marrë vetëm një herë ndihmë në para nga programi i ndihmës. Kush e merr këtë ndihmë dhe pastaj kthehet sërish në Gjermani duhet ta rikthejë atë. Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane janë rikthyer 83.000 euro.

Ndërsa për programin në vitin 2018 janë shpenzuar 9.5 milionë euro. Zëvendëskryetari i grupit parlamentar, Stephan Thomae ka reaguar pas përgjigjes së qeverisë federale.

“Çdo vit rreth 1000 kërkesa pasuese të azilit nga azilkërkues të refuzuar me vendim kthimi flasin një gjuhë të qartë. Programin e ndihmës për kthim ai e cilëson si një program që dukshëm krijon “stimuj të gabuar”, citon dpa, Stephan Thomae.

Një pjesë tjetër e azilkërkuesve janë rikthyer në të njëjtën kohë për shkak të bashkimit familjar, studimit apo për punë në Gjermani./Dw

Loading...
loading...
Loading...