Transmetuar më 06-06-2019, 09:36

Duke nisur që nga viti 2020, së paku një shishe në katër me pije alkoolike, duhet të ketë si shoqëruese etiketën me informacionin e përbërësve, duke detajuar kaloritë që përmban pija.

Kështu parashikohet që 50% e shisheve të hedhura në treg në vitin 2021, do jenë të shoqëruara me etiketën e detajuar.

‘Spirits Europe’, organizata europiane e prodhuesve të alkoolit, ka firmosur një marrëveshje me Bashkimin Europian në Bruksel.

“Etiketat do të japin informacione lidhur me energjinë për çdo gotë prej 100 ml, në mënyrë të ngjashme me atë që ndodh me pijet joalkoolike. Disa prodhues do të kenë nevojë për më shumë kohë për të përmbushur këto angazhime. Por ne do i kapërcejmë të gjitha pengesat ligjore dhe do të udhëzojmë siç duhet”, deklaroi Christian Porta, Presidente i ‘Spirits Europe’.

Jo vetëm kaq por informacionet lidhur me pijet alkoolike do të jenë të publikuara edhe online. Marrëveshja u firmos pas një periudhe të gjatë negociatash, të zgjatur prej 14 muajsh. /a.y/noa.al