Transmetuar më 06-06-2019, 03:16

Gjykata e Lartë në Podgoricë e ka dënuar Vllado Zmajeviqin me 14 vjet burg për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë.

Ai u shpall fajtor për vrasjen e katër civilëve shqiptarë në fshatin Zhegër të Gjilanit në vitin 1999.

Kryetari i Trupit Gjykues, Dragoje Jovoviq, në shpjegimin e aktgjykimit të tij, deklaroi se dëshmitë e paraqitura padyshim se "vërtetuan se krimet e luftës janë kryer, pasi për ato kanë dëshmuar dëshmitarët, por edhe vetë i akuzuari e ka pranuar në fazën e parë hetimore, por më vonë i ka mohuar ato deklarata".

Zmajeviq ka të drejtë të apelojë aktgjykimin në Gjykatën e Apelit.

Në shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë ishin të pranishëm edhe anëtarët e familjeve të viktimave. Në mesin e tyre ishte edhe Muhadin Haziri, të cilit i ishin vrarë prindërit. Ai tha për Radion Evropa e Lirë se dënimi prej 14 vjetësh është i butë dhe se pret që “shkalla e dytë të vendosë një dënim më të ashpër”.

Në anën tjetër avokatja Liljana Koldzhiq, e cila përfaqësonte të dënuarin Zmajeviq, tha se klienti i saj ishte dënuar pa asnjë provë.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, e përshëndeti vendimin e Gjykatës së Lartë në Podgoricë. Drejtori Ekzekutiv i Fondit në Kosovë, Bekim Blakaj tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se ky vendim tregon se bashkëpunimi rajonal mund të jetë i suksesshëm, dhe ai duhet të jetë më i shpeshtë në rajon.

"Kjo është një shenjë e mirë sepse një shtet ka dënuar shtetasin e saj për krime lufte të kryera në një shtet tjetër”, ka thënë Blakaj.

Në gusht të vitit 2016, Prokuroria Speciale e Mali të Zi për krim të organizuar dhe krime lufte konfirmoi se kishte arrestuar Vllado Zmajeviqin (47 vjeç) nga Nikshiqi me dyshimin se “ka kryer krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë më 1999”.