Transmetuar më 03-06-2019, 23:21

Viola Dodaj, nga Lezha, tregon, se ka qenë e martuar prej 8 vitesh me Andrea Dodajn, martesë nga e cila kanë ardhur në jetë dy vajza dhe një djalë. Ajo shprehet, se ka qenë viktimë e dhunës, pasi i shoqi nuk punonte e luante bixhoz.

Në vitin 2015 ka bërë një denoncim, që e tërhoqi për hir të fëmijëve.

Por në tetor 2018, bëri një tjetër denoncim, pas të cilit u pajis me urdhër mbrojtjeje për 12 muaj.

Viola Dodaj : Kam 8 vjet që jam e martuar me Andrea Dodaj, kam tre fëmijë, dy vajza dhe 1 djalë. Kam qenë pre e dhunës për 8 vite martesë që kam patur me atë. Nga një anë punonte dhe nga ana tjetër luante bixhoz. Ka filluar dhuna që vitin e parë të martesës dhe nuk më dhunonte vetëm mua, por edhe fëmijët e tij. Në vitin 2015 kam bërë denoncim për dhunë. Kam pasur djalin 6 muajsh dhe për hir të atij e fala dhe mora të gjitha fajet për vete. Në muajin Tetor të vitit 2018 e denoncova sërish, pasi më rrahu shumë keq madje dhe me kabull korrenti dhe mora dy vajzat dhe dola nga shtëpia, pasi djalin nuk ma la ta merrja. Kam dalë dhe kam shkuar tek shtëpia e mamit dhe i thashë që dua të shkoj në polici që të bëj denoncim. Policia nisi ta kërkonte, por nuk e kapi dot. Më pas kam shkuar në gjykatë ku kam marrë dhe urdhër mbrojte për 12 muaj, por urdhri nuk është zbatuar. Bashkëshortin e kam takuar në muajin Nëntor. Ndodhi gjëja më e tmerrshme në jetën time, kam luftuar me jetën. Ai ka pasur dhe një thikë me vete dhe kjo ngjarje ka ndodhur tek tuneli i Kalasë.

Edhe pse me urdhër mbrojtjeje, Viola vijoi të pësonte dhunë sistematike. Situata arriti në pikën, që ajo u akuzua për kallëzim të rremë, pasi ish-bashkëshorti figuronte jashtë vendit nga sistemi TIMS.

Viola Dodaj :Në mesin e muajit Nëntor, pasi kam marrë urdhër mbrojtje me merr Andrea në telefon dhe më thotë: do vish tek Kalaja. Këtu është një vend i braktisur. Më tha që do merrja fëmijët, por kur erdha nuk kishte fëmijë, por më tha: këtu jemi drejt fundit. Nuk më ka lënë të iki, më ka tërhequr për dorë dhe më ka mbyllur gojën, kam bërtitur por asnjë nuk më ka dëgjuar. Më ka tërhequr zvarrë nga këtu deri tek Kalaja duke më rrahur dhe më dhunuar keq. Kam ikur këmbë zbathur, sepse atletet më ngelën rrugës, kam shkuar në polici dhe më pas tek mjeku. Kam marrë sërish një urdhër mbrojtje të dytë. Nga 17 Prilli thonë që është arrestuar, nga policia, ndërsa Gjykata thotë, jo, nuk i jepet dum çfarë është bërë. Prokuroria thotë që denoncimi i dytë është i rremë. Në sistem del që nuk ka qenë në Shqipëri. Ai mund të vijë dhe nga mali. Dhe nëse nuk është kapur të kapet. Unë dua fëmijët e mi dhe që drejtësia të vihet në vend.

Gazetarja: Sa vjeç je ti?

Vajza: 7 vjeçe…

Gazetarja: Kur e ka takuar babin?

Vajza: Babin e kam takuar tek shtëpia, kur më ka thënë mua, po i kallzove mamit, kam me të mbyt, më ka rrahur mua dhe mamin. Babi e rrifte mamin shumë. Nuk dua të iki me të babi.

Gazetarja e emisionit “Stop” vajti së bashku me Violën tek ambulanca e Gurrës ku takuam mjekun ekspert për ta pyetur për raportin mjeko-ligjor. Mjeku, që ka përgatitur raportin provon dhunën, që është ushtruar ndaj Viola Dodajt.

Gazetarja: Tani Violën besoj, që e dini, që e ka dhunuar bashkëshorti?

Mjeku: E  njoh si paciente edhe e njoh, si kështu…

Gazetarja: Tani, Viola thotë, që ka ardhur këtu në momentin, që ka qenë e dhunuar dhe ju keni mbajtur një raport mjeko-ligjor.

Mjeku: Unë jam mjeku ligjor.

Gazetarja: A keni mbajtur raport?

Mjeku: Pa diskutim, që po!

Gazetarja: E keni dorëzuar në prokurori?

Mjeku: Po patjetër, që po!

Gazetarja: Në të dy rastet, që është dhunuar?

Mjeku: Në të dyja rastet, që ka qenë e dhunuar.

Gazetarja: Tani raportin mjeko-ligjor, e keni lëshuar për dëmtime më shumë se 9 ditë apo më pak se 9 ditë?

Mjeku: Atë nuk e mbaj mend. Përgjigja është në prokurori, është përgjigje, që është e zeza mbi të bardhë dhe është pjesë e gjithkujt, që mund ta kërkojë në atë, që quhet dosje…

Gazetarja u drejtua Policisë së Lezhës, për tu interesuar për Andrea Dodaj, bashkëshortin e Violës.

Zëdhënësja: Të lutem bëjeni kërkesën me gjithë ato, që doni! Do ta marr, do administrohet nga ana jonë dhe do përgjigjemi për këtë, që ju pyesni.

Pas kërkesës nga ana e “Stop” policia thotë se Andrea është arrestuar në 17 Prill 2019 dhe ka qëndruar në burgun e Shën Kollit deri 9 Maj 2019, dhe më pas është liruar, pasi ka ndryshuar masa e sigurisë, nga “arrest me burg”, në “detyrim paraqitje”.

OPGJ: Kur të njoftojmë për akuzën, ke të drejtë, nuk të kena njoftuar.  Tash do gjykohet. Fakti, që nuk të kena komunikuar gja, do të thotë, që është tu i pa prapë me hollësi ai. Është tu i pa me gjakftohtësi, që Viola, mos e pas asnjë shqetësim.

8 vjet e dhunuar Viola, dy denoncime të bëra dhe më pak se 1 muaj dënim për burrin e saj./tvklan.al