Transmetuar më 02-06-2019, 22:54

Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka vendosur që sadakaja e fitrit për vitin 2019 të jetë 300 lekë (të reja) për person.

Sadakaja e Fitrit është një shumë që u jepet të varfërve që të festojnë ditën e Bajramit.

Të gjithë qytetarët të cilët dëshirojnë të respektojnë dhënien e sadakasë me rastin e Fiter Bajramit, mund ta bëjnë atë, para faljes së Fiter Bajramit, ndaj është e këshillueshme që të jepet para mëngjesit të së martës 4 qershor 2019.

Ju mund të jepni sadakanë, duke llogaritur se sa persona jeni në familje. Për shembull nëse jeni katër vetë në një familje, duhet të jepni 1200 lekë të reja ose rreth 10 euro.

Kujdes, sadakaja duhet t’i jepet doemos njerëzve të varfër që njihni ose nuk njihni.

Për shembull nëse njihni një person ose familje të varfër, ju mund t’i jepni sadakanë.

Edhe lypësit që konstatoni se janë njerëz në nevojë, po ashtu mund të ndihmohen.

Nëse nuk arrini t’i jepni këto para tek njerëz të varfër mund t’i çoni ato tek xhamia më e afërt duke u shpjeguar se janë paratë e sadakasë së fitrit me destinacion të varfrit.

Sadakaja e fitrit, apo siç njihet ndryshe te ne “fitrat”, është lëmosha që jepet si falënderim për mundësinë që Allahu i ka dhënë myslimanit, për vlerësimin e përjetimin e Ramazanit dhe për përfitimin nga begatitë e mirësitë e tij. Sadakaja e fitrit është obligim për çdo mysliman e myslimane. Ibn Abbasi r.a. transmeton se “Profeti e bëri detyrim zekatin (sadakanë) e fitrit, pastrim për agjëruesin nga thashethemet dhe fjalët e kota, si dhe ushqim për të varfrit…” Përfitimet që rrjedhin prej saj mund t’i ndajmë në dy aspekte: personale dhe shoqërore. Njeriu që agjëron, për shkak të natyrës së tij të dobët, mund të bjerë në gabime, të cilat përbëjnë mangësi në procesin e agjërimit dhe në këtë këndvështrim, sadakaja është një praktikë që e çon në përsosmëri këtë ritual. Ndërsa nga këndvështrimi shoqëror, sadakaja, veçanërisht në ditën e bajramit, shërben për pasurimin e sofrave të të varfërve. Me dhënien e saj mundësohet afrimi i të pasurit me të varfrin dhe zbuten sadopak diferencat midis tyre. Ndoshta edhe për këtë shkak masa e saj është ruajtur në kufijtë e simbolikes, për t’i dhënë mundësinë sa më shumë njerëzve të ndiejnë kënaqësinë që përftohet kur ndihmon të tjerët. Sadakaja e dhënë, shpenzimi i bërë, bëhet vetëm për hir të Allahut, duke e pritur shpërblimin vetëm nga Ai. Lidhur me këtë jemi urdhëruar kështu: “O besimtarë, mos e shkoni dëm shpërblimin që fitoni nga sadakatë që shpërndani duke u krenuar para nevojtarëve e duke u shkaktuar atyre mundim, se kështu do të jeni si ata që shpenzojnë pasurinë të nisur nga dëshira për të pasur emër të mirë dhe për të fituar dashamirësinë e të tjerëve…” (Kur’an, 2:264) Prandaj, le të mos e shkojmë kot shpërblimin e sadakasë së dhënë duke ia përmendur atë nevojtarit marrës.