Transmetuar më 01-06-2019, 21:59

Në zonën e Floqit e cila ishte epiqendra e tërmetit që u regjistrua mëngjesin e sotëm janë ngritur çadrat ku do të strehohen disa nga familjet e dëmtuara. Deri tani sipas Shtabit të përgjithshëm të Emergjencave raportohet për mbi 100 shtëpi të prekura nga tërmeti.

Mbi 100 banesa raportohen të dëmtuara nga tërmeti në qytetin e Korçës dhe në disa fshatra të saj.

Prefekti Dhori Spirollari mblodhi Shtabin e Emergjencave për situatën.

Banorët e Floqit, Mollasit dhe Nikolicës të cilëve u janë shkatërruar totalisht shtëpitë do të strehohen në çadrat e ngritura nga Forcat e Armatosura dhe në ambiente të tjera.

Tek epiqendra e lëkundjeve mbërriti edhe kreu i Emergjencave Civile Haki Çako.  Ai tha se të gjithë banorët do të furnizohen me ushqime. Goditjet e fuqishme të tërmetit u regjistruan mëngjesin e së shtunës, mbi 15 të tilla. Ato vazhduan dhe mbrëmjen e sotme.

Lëkundjet vazhduan gjatë ditës me një intensitet më të ulët si në qytet ashtu edhe në fshatra. Juglindja nuk kishte parë të tilla tërmete që prej vitit 1960.

Dëmtime ka në shtëpitë e amortizuara, kryesisht ndërtime të viteve 1960 -1980.

Policia ka kaluar në gjendje gatishmërie.

Disa fshatra të Korçës rrezikojnë të mbeten pa energji pasi janë drejt shembjes kabinat elektrike.