Transmetuar më 01-06-2019, 16:31

Shtëpi të rrënuara, xhama të thyera dhe banorë të tmerruar. Është ky bilanci i tërmeteve që u regjistruan mëngjesin e kësaj shtune në juglindje të vendit.

Deri më tani mësohet se 4 persona kanë mbetur të plagosur, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, e ndërsa dhjetëra banesa janë shkatërruar; disa prej tyre kanë dalë krejtësisht jashtë funksionit.

Prefekti Dhori Spirollari ka mbledhur shtabin e emergjencës pas situatës së krijuar. Sipas prefektit banorët nuk do lejohen të hyjnë në banesa e tyre, pasi një pjesë e tyre janë kthyer në të pabanueshme.

"Bashkia e Korçës të marrë masa për ujin e pijshëm. Nëse do na duhen vullnetarë, rinia korçare të na vijë në ndihmë", deklaroi prefekti.

Banorët do të sistemohen nëpër çadra, ndërkohë që do shpërndahen ushqime në fshatrat Floq, Qafzezë dhe Vidohovë. Kompanitë private, gjithashtu janë ofruar me paketa ushqimore.

Drejtori i Përgjithshëm i emergjencave civile Haki Çako dhe zv. ministri Petro Koçi janë nisur drejt Korçës.

Epiqendra e tërmetit, më i madhi 5.3 ballë, ka qenë në fshatin Floq, ku dhe janë shkaktuar dëmet më të mëdha materiale. Pas apelit të banorëve për të shpallur gjendjen emergjente, pasi nuk kthehen në shtëpitë e tyre nga frika se mund të ketë tërmete të tjera, Emergjencat Civile kanë vënë në dispozicion 40 çadra për banorët e Floqit.

Mësohet se lëkundja e parë ka zgjatur për plot 10 sekonda. Sipas sizmologut, Rexhep Koçi pritet që të regjistrohen edhe tërmete të tjera, nisur nga fakti që gjithmonë ato shoqërohen me pasgoditje.