Transmetuar më 01-06-2019, 08:41

Të shtëna me armë zjarri u shënuan në një kompleks ndërtesash administrative në Virginia Beach, të Virginia, SHBA. Për pasojë 13 persona mbetën të vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur.

Edhe autori i dyshuar i masakrës u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.

Bëhet fjalë për një inxhinier 40-vjeçar, DeWayne Craddock, punonjës i pakënaqur i bashkisë, i cili punonte në departamentin e shërbimeve publike dhe që viteve të fundit ishte kthyer në pikë kontakti për informacionet lidhur me projektet rrugore lokale.

Sulmi ndodhi pasditen e së premtes, teksa ai hapi zjarr drejt punonjësve të një prej zyrave të bashkisë. Nga kundërpërgjigja e zjarrit prej policisë, ai mbeti i vrarë.

I dyshuari bëri masakrën me një pistoletë gjysmë automatike dhe një pushkë.

Godina ku ndodhi ngjarja, mban një sërë zyrash, mes tyre edhe departamentin e policisë së qytetit, shkruan noa.al. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i plagosur edhe një polic, i cili mundi të shpëtojë jetën, vetëm prej jelekut antiplumb. /a.y/noa.al