Prishtina fut kryeministren serbe në listën e personave të padëshiruar në Kosovë
Transmetuar më 31-05-2019, 06:55

Një tjetër zyrtar i lartë i Serbisë është shtuar në listën e personave të padëshiruar në Kosovë. Këtë radhë bëhet fjalë për kryeministren e vendit, Ana Bërnabiç.

Shkak u bë një deklaratë e kryeqeveritares serbe gjatë një konferencë shtypi me shefin e delegacionit të BE-së në Beograd.

Duke folur për zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, Bërnabiç tentoi të ulë figurën e palës kundërshtare, duke i quajtur ata “njerëz të ardhur nga mali” me të cilët është vështirë të dialogohet.

Kjo deklaratë ka shkaktuar një sërë reagimesh nga Prishtina, ku më i ashpri është ai i Ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, i cili shprehet se sa të jetë ai ministër, Bërnabiç nuk do të mund të shkelë në Kosovë.

“Ky racizëm i institucionalizuar e ka brumin në ideologjinë ultranacionalistë të sëmurë që promovon qeveria serbe. Shpresoj që Evropa sot të kuptojë se me çfarë lloj njerëzish kemi të bëjmë, me ata që kanë mbështetur vrasjet masive dhe mohojnë krimet e luftës të kryera nga ish-Jugosllavia”, tha Pacolli.

Deklaratat e Bërnabiç janë bërë gjatë publikimit të progres-raportit nga Komisioni Europian, i cili i është dërguar edhe qeverisë së Kosovës. Progres-raporti kritikon taksën 100% ndaj mallrave serbe.

Loading...
loading...
Loading...