Shqipëria po zbrazet! Plaga sa vjen e rëndohet, të rinjtë kërkojnë masivisht të ikin
Transmetuar më 26-05-2019, 14:52

Shqipëria është një ndër vendet që ka raportin më të lartë të emigrantëve me popullsinë. Kjo shifër por edhe rekorde të tjera janë akumuluar ndër vite, por më alarmant është fakti se gjatë viteve të fundit problem nuk është zgjidhur, përkundrazi, është bërë edhe më shqetësues.

Të dhëna të njëpasnjëshme hedhin dritë mbi gjendjen e shqiptarëve të larguar, me shifra. Do të analizojmë disa prej këtyre shifrave për të kuptuar sadopak situatën, duke filluar me një prej fenomeneve më të përhapura që prej vitit 2014; azilkërkuesit.

Shifrat e azilkërkuesve

Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se shqiptarët vijojnë të qëndrojnë në listën e 10 azilkërkuesve më të mëdhenj në Bashkimin Europian, duke zënë vendin e 9-të. Së bashku me turqit, shqiptarët janë europianët e vetëm të listës. Shifrat zyrtare tregojnë se në 2018-ën, kërkesat për azil për herë të parë fiksohen në 19025. Thuajse gjysma e tyre, ose më saktë 44%, pra 8280 kanë pasur si destinacion Francën.

Në ekonominë e dytë më të madhe të Eurozonës, shqiptarët janë azilkërkuesit e dytë më të mëdhenj pas afganëve. Qeveria franceze e ka ngritur shpeshherë këtë problem edhe në takime zyrtare. Gjatë vitit të kaluar, pasi Gjermania shtrëngoi rregullat për azilkërkuesit nga Shqipëria, Franca u kthye në destiancionin e preferuar të shqiptarëve. Në Irlandë, ndërkohë, shqiptarët janë të parët në listë, paçka se me vetëm 460 kërkesa, ndërkohë që në Islandë janë të dytët në listë.

Në të gjithë Bashkimin Europian, shqiptarët përfaqësojnë rreth 3% të totalit prej 580 mijë azilkërkuesish. Shifrat tregojnë se numri i azilkërkuesve shqiptarë ka rënë ndjeshëm në krahasim me 2017 apo edhe vitin 2016, duke u përgjysmuar.

Në 2017 ishin 26 mijë dhe në 2016 ishin 32 mijë. Gjithsesi të dhënat për azilkërkuesit shqiptarë në total, pra jo ata që janë aplikantë për herë të parë, flasin për rritje të ndjeshme gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar. E ndërkohë që në të gjithë Bashkimin Europian janë rreth 20 mijë, shqiptarët që kanë aplikuar për azil përgjatë 2018-ës, duke qenë pjesë e listës se 10 vendeve kryesore të origjinës, të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se, norma e pranimit të kërkesave për azil për shqiptarët është në vetëm 8%.

Kjo na rendit në vendin e 19-të në listën e vendeve të origjinës së azilkërkuesve për nga norma e pranimit të kërkesës. Kështu, më pak se 1 në 10 shqiptarë që aplikojnë për azil në vendet e Bashkimit Europian ka gjasa që  t`i pranohet kërkesa.

Normat mjaft të ulëta të pranimit vijnë si pasojë e klasifikimit të Shqipërisë si një vend i sigurtë origjine. Pavarësisht normës mjaft të ulët, Shqipëria është i vetmi vend rajonal pjesë e listës, si dhe ndër të paktat vendet europiane, së bashku me Turqinë, Rusinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë, të gjitha këto vende në problem serioze me nivelin e demokracisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Sipas Eurostat, vendet e Bashkimit Europian i dhanë azil 300 mijë njerëzve gjatë 2018-ës.

Shteti më bujar rezulton të jetë Gjermania me 139,600 kërkesa të pranuara, e ndjekur nga Italia me rreth 47 mijë dhe Franca me rreth 41 mijë. Ndërkohë, sirianët kryesojnë listën e pranimeve, me 88% të kërkesave për azil të aprovuara.

Gjermania, parajsa e re

Gjermania duket se është parajsa më e re e shqiptarëve larg vendit. Shifrat më të fundit të Zyrës Federale të Statistikave në Gjermani, të përpunuara nga Scan Magazine tregojnë me detaje sa janë shqiptarët në vend, si kanë lëvizur shifrat ndër vite dhe cilat kategori e preferojnë vendin.

Numri i shqiptarëve në Gjermani është rritur për të parën herë që prej vitit 2015, kohën e bumit të azilkërkuesve shqiptarë, thotë të dhënat e publikuara nga Zyra federale e Statistikave të Gjermanisë. Por, sot situata ndryshon, pasi nuk bëhet fjalë për azilkërkues, por për emigrantë shqiptarë të rregullt, të cilët në pjesën dërrmuese janë të kualifikuar. Kështu, të dhënat tregojnë se, deri më 31 dhjetor të vitit 2018, në Gjermani ka pasur 55,495 mijë shqiptarë nga rreth 48,705 që ishin 365 ditë më parë. Pra, rritja fiksohet në 13.9%. Po të llogarisim që në pjesën dërrmuese bëhet fjalë për njerëz të kualifikuar, të dhënat vijnë në formën e një kambane alarmi.

Në vitin 2013, në Gjermani kishte vetëm 14 mijë emigrantë shqiptarë. Një e dhënë tjetër që tregon rritjen e ndjeshme të numrit të shqiptarëve gjatë vitit të fundit është ajo që i referohet kohës së qëndrimit të tyre. Janë plot 10 mijë, shqiptarët në Gjermani të cilët kanë më pak se 1 vit qëndrim në vend, çka sinjalizon një bum të ri largimi.

Të dhënat flasin gjithashtu për rreth 18 mijë shqiptarë që janë shtuar në regjistrin e të huajve në 2018-ën, ndërkohë që rreth 6 mijë janë larguar. Shifrat tregojnë gjithashtu se, koha mesatare e qëndrimit të shqiptarëve në Gjermani fiksohet në 5.2 vite, padiskutim mosha më e re mes vendeve të rajonit, duke qenë se shqiptarët e kanë “zbuluar” Gjermaninë vetëm vitet e fundit. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve në Gjermani është e përqendruar në rajonin e Vestfalias, ku gjendet 31% e totalit, thonë të dhënat e Agjencisë Federale të Statistikave në Gjermani.

Tjetër pamje në Britani

Por, ndryshe nga Gjermania, shqiptarët tjetërkund, edhe vuajnë. Ky është rasti i Britanisë së Madhe.

Shqiptarët që punojnë më Mbretërinë e Bashkuar në sektorin e larjes së makinave, së bashku me nigerianët që punojnë si shërbyese apo punonjëse seksi, si dhe vietnamezët në sektorin e estetikës, janë pjesë e asaj që njihet gjerësisht si “skllavëri moderne”.

Paçka se shumë organziata dhe media të ndryshme kanë shkruar për diçka të tillë, prestigjiozja “The Indipendent” vë theksin pikërisht te kombësitë më të prekura dhe te sektorët më të prekur. Në të gjithë vendin vlerësohet se rreth 13 mijë individë janë të prekur nga “skllavëria moderne” dhe shqiptarët duket se janë ndër viktimat kryesore. Të tjera të dhëna tregojnë se, numri i atyre që jetojnë në “skllavëri moderne” fiksohet në 136 mijë në Mbretërinë e Bashkuar.

Shqiptarët ndërkohë duket se janë të përfshirë, jo vetëm në sektorin e larjes së makinave, por edhe në sektorë të tjerë, si ndërtimi apo bujqësia. Sektori i larjes së makinave është ai më i prekuri thonë instancat shtetërore, ndërkohë që përgjatë vitit të kaluar, shqiptarët rezultonin si të parët në listën e “skllevërve”, me rreth 200 raste të raportuara, thuajse dy herë më shumë se vend i dytë në listë, që rezulton të jetë Kina. “The Indipendent” shkruan se të gjitha bizneset janë bashkëfajtorë, të të gjitha niveleve.

Sa i kushton fenomeni ekonomisë shqiptare?

Emigrimi neto është një ndër sfidat më të mëdha të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare. Përgjatë tre dekadave të fundit, fenomeni i largimit, sidomos i të rinjve, njerëzve të kualifikuar dhe të asaj pjesë të shoqërisë të cilës i referohemi me “truri”, ka qenë një plagë e madhe.

Organizma të ndryshme ndërkombëtare kanë ngritur alarmin, ndërkohë që një pjesë e tyre japin edhe shifra të përafërta të kostos ekonomike të emigrimit neto. Kështu, në një raport të publikuar kohë më parë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, thuhet se në vende si Shqipëria, emigracioni ka fshirë nga 0.6% deri në 0.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Me një ekonomi vjetore në rreth 13 miliardë euro, rezulton se dëmi i drejtpërdrejtë si pasojë e emigracionit neto në vendin tonë ngjitet deri në 120 milionë euro në vit. Pra, largimi i “trurit” i heq prodhimit kombëtar një pjesë të konsiderueshme. Veç Shqipërisë, kjo gjë vlen edhe për vende si Mali i Zi apo Rumania në rajon si dhe Letonia me Lituaninë në zonën e Balltikut. Emigracioni neto parashikohet të shkurtojë forcën punëtore nga 10 deri në 20%.

FMN shpjegon se si ndalet emigrimi

Në përfundim të misionit në vendin tonë, Fondi Monetar Ndërkombëtar jepte edhe disa këshilla për të përmirësuar të bërit biznes. Këto masa, nëse zbatohen, jo vetëm që do të përmirësojnë klimën e biznesit, por edhe do të ndikojnë në dekurajimin e emigrimit të shqiptarëve.

Ky fenomen, së fundmi ka marrë vëmendjen e një sërë institucionesh ndërkombëtare, por edhe të faktorëve ndërkombëtare, pasi kërcënon rëndë ekonominë e vendit, nëpërmjet deformimeve strukturore të shoqërisë si dhe uljes së ndjeshme të krahut aktiv të punës. Fondi Monetar Ndërkombëtar jep 5 këshilla bazë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe nxitur idenë e moslargimit nga vendi. Këshilla numër një është pa diskutim zbatimi i reformës në drejtësi, që është edhe një ndër aspektet më të rëndësishme të të bërit biznes.

Këtu përfshihet edhe forcimi i shtetit ligjor. Këshilla numër dy i referohet fuqizimit të kuadrit ligjor për të drejtën e pronës, që do të nxisë kreditimin e sektorit privat si dhe investimet e huaja direkte. Këshilla numër tre i referohet përmirësimit të cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe arsimit. Më pas, FMN vijon duke këshilluar ngushtimin e hendeqeve në infrastrukturë me vendet e tjera të rajonit.

Këshilla numër 5 ka të bëjë me harmonizimin e standardeve me Bashkimin Europian. Për Fondin Monetar Ndërkombëtar, duket se këto 5 hapa janë të mjaftueshëm për të nxitur një klimë më të mirë biznesi në vend si dhe për të dekurajuar shqiptarët që të largohen nga vendi. Të tjera të dhëna, ndërkohë, japin alarmin për të ardhmen dhe sinjalizojnë se emigrimi është një bombë demografike për vendin tonë.

Shqipëria zbrazet

Shqipëria është i vetmi vend në Europë që rezulton me popullsi në rënie, për shkak të emigrimit. Këtë gjë e konfirmojnë të dhënat e përditësuara të Eurostat, që i referohen popullsisë së 37 vendeve të kontinentit të vjetër deri më 1 janar të këtij viti. Nga këto të dhëna, rezulton se, vetëm 11 shtete nga 37 kanë një popullsi në rënie në krahasim me vitin paraardhës. Por, ndërkohë që për 10 nga këto shtete, rritja natyrore e popullsisë është negative, pra ka më pak lindje se vdekje, për Shqipërinë nuk është kështu. Kjo gjë tregon qartë se, rënia e popullsisë në vetëm 2,870,000 njerëz është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e largimit të shqiptarëve nga vendi.

Rënia vjetore fiksohet në 2.2%. Kjo është norma e tretë më e ulët në Europë, pas Portugalisë dhe Italisë. Nga ana e kundërt, emigrimi hyrës ka ndihmuar në rritjen e popullsisë në disa vende të Europës, si Suedia, deri në 12% apo edhe në uljen e impaktit të rënies së numrit të lindjeve në pjesën tjetër të Europës.

Projeksionet demografike në kontinentin e vjetër janë alarmante dhe kohët e fundit as Shqipëria nuk i ka shpëtuar këtij fenomeni. Veç emigrimit, tashmë është faktuar edhe një rënie e konsiderueshme e numrit të lindjeve, që sinjalizon se në vitet e ardhshme, pa zgjidhur këtë, do të ketë një rënie të ndjeshme të popullsisë së vendit tonë.

300 mijë të rinj shqiptarë duan të ikin

Janë rreth 300 mijë, të rinjtë shqiptarë të cilët duan të largohen nga vendi, thotë fondacioni “Friedrich Ebert” në raportin më të fundit për të rinjtë në rajonin e Europës Juglindore. Sipas këtij raporti, 43% e të rinjve shqiptarë duan të largohen nga vendi. Pak më shumë se gjysma e tyre, do të donte të largohej nga Shqipëria për më shumë se 20 vite, thuhet në studimin i cili është kryer në formën e një ankete.

Nga ana tjetër, 1 në 3 të rinj shprehet se nuk ka aspak ndërmend që të emigrojë nga vendi. Rreth 76% e atyre që duan të largohen ndërkohë japin si arsye kryesore atë ekonomike, ashtu si pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të Europës Juglindore. Me një potencial emigrimi në rreth 285 mijë të rinj, Shqipëria është e dyta në rajon, pas Rumanisë, që ka një popullsi bindshëm më të lartë se vendi ynë. Të dhënat duket të jenë alarmante në këtë drejtim. Sa i përket zgjedhjes kryesore të të rinjve shqiptarë për të emigruar, në vend të parë qëndron Gjermania me 26%, në vend të dytë Mbretëria e Bashkuar me 18% dhe më pas Italia, me 16%.

Nga ana tjetër, të pyetur se si ata e vlerësojnë situatën socialo-ekonomike në vend, me një notë nga 1-5, të rinjtë shqiptarë i japin vetëm 2.2, që është nota më e ulët ndër të gjitha vendet e rajonit. Nga krahu tjetër, të pyetur të vlerësojnë situatën socialo-ekonomike në Bashkimin Europian, të rinjtë shqiptarë japin notën 4.4, më të lartën mes vendeve të rajonit.

Mesa duket, është pikërisht diferenca mjaft e lartë në perceptimin e dy realiteteve, atij në vendin tonë, dhe atij në vendet e zhvilluara, ajo që i shtyn të rinjtë shqiptarë që të dëshirojnë në masë të largohen nga vendi. Kështu, të gjitha të dhënat tregojnë se fenomeni është i vazhdueshëm dhe nuk ka ndërmend të ndalet.

Shqiptarët sot vijojnë të largohen nga vendim, ndoshta jo në nivelet e dy apo tre dekadave më parë, por po e bëjnë këtë. Dëshira për t`u larguar, ndoshta, është e njëjtë me vite më parë. Por, sot, shqiptarët kanë çfarë të humbasin, ndryshe nga vitet `90 dhe periudha që i pasoi. Kjo duket se është diferenca e vetme në marrëdhënien e shqiptarëve me emigracionin ndër vite./ SCAN Magazine

Loading...
loading...
Loading...