Skenarët e protestës së sotme, leja e policisë deri në mesnatë
Transmetuar më 25-05-2019, 15:41

Opozita e bashkuar ka paralajmëruar zhvillimin e një proteste kombëtare sot pasdite.

Burime nga Policia e Shtetit thanë për noa.al se është kërkuar leje dhe është miratuar, për tubim nëpër Tiranë, nga ora 19.00 e të shtunës së sotme 25 maj deri në orën 24.00.

Pas këtij orari, protesta konsiderohet e paligjshme dhe policia me forcat e tjera të sigurisë, i rezervojnë të drejtën vetes që të shpërndajnë me çdo mjet që kanë në dispozicion, pjesëmarrësit e demonstratës opozitare.

Por cilët janë skenarët e kësaj proteste të radhës?

Burime nga PD thanë për noa.al se plani mbështetet në një marshim i cili do të përfshijë akset kryesore në qendër të Tiranës dhe përreth saj.

Pika nevralgjike të marshimit dhe ndalesave për fjalime do të jenë te Kryeministria, Parlamenti – godina ku zhvillohen seancat plenare.

Pranë Kryeministrisë mësohet se do të flasë kryetari demokrat Lulzim Basha. Po aty pritet të flasë dhe Sali Berisha.

Tek Parlamenti, pritet të mbajë një fjalë, kryetarja e partisë së dytë më të madhe të opozitës, Monika Kryemadhi.

Zonja Kryemadhi, kryetare e LSI, është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe lëshoi dje një mesazh për protestën duke kërkuar që pjesëmarrësit të distancohen nga dhuna. Të njëjtën gjë bëri sot edhe bashkëshorti i saj, Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

E ndërsa zonja Kryemadhi i ka bërë thirrje mbështetësve të saj që të mos kryejnë akte dhunë e të mos qëllojnë as godinat shtetërore, të tilla thirrje nuk ka në artikulimin publik të liderit të opozitës Lulzim Basha i cili gjatë ditëve të fundit ka zhvilluar një tur në qytete të ndryshme të vendit. /noa.al/

Loading...
loading...
Loading...