Transmetuar më 23-05-2019, 12:03
Spartak Braho, Agron Tufa, Adriatik Alimadhi

Në seancën e sotme parlamentare ka pasur momente tensioni dhe fyerjesh, pas fjalës së Agron Tufës, drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Ai paraqiti në seancën e sotme raportin e veprimtarisë vjetore, të vitit të lënë pas.

Deputeti socialist Spartak Braho iu kthye me ofendime, duke kërkuar edhe largimin e tij.

“Keni ju nja dy hajdutë aty, Dervishi dhe Kaloci që kanë vjedhur arshivën e ministrisë dhe mbushin shtypin. Asnjë nuk e dinë që ekzistonte ky i ashtuquajturi Institut i Studimeve të Komunizmit, por meqë është mirë bëhet dhe jam dakord që të ekzistojë. Ky institut drejtohet nga një letrar që mbaroi shkollën në Bashkim Sovjetik. Ky studiues kërkonte eliminimin e letërsisë dhe kinematografisë së para viteve ‘90, pra duhej zeruar çdo gjë, Kadare, Agolli dhe të tjerë. Në disa botime hidhej baltë mbi LANÇ-in dhe 260 drejtues konsideroheshin kriminelë dhe një botim më qesharak ishte ai që bënte fjalë për këngët e Ballit Kombëtar. Balli nuk bëri luftë dhe nuk pati as këngë”, u shpreh Braho.

Ai tha se Instituti ka shkelur rëndë ligjin dhe citoi Kryeministrin Edi Rama i cili tha se “Larg duart nga vitet ‘41-45 se neofashistët e tipit Tufa dhe Çela kërkonin të glorifikonin bashkëpunëtorët e fashizmit dhe nazizmit, të deheroizonin LANC-in”.

Braho iu drejtua Tufës duke thënë se e kanë kthyer Institutin në celulë të Ballit Kombëtar, duke e paralajmëruar se “po luani me zjarrin duke shkelur ligjin dhe shpërdoruar, luftën nuk e bëtë ju, por bijtë e këtij vendi, partizanët edhe ata ballistë që u rreshtuan pas 24 majit dhe koalicioni i madh anti fashist”.

Ai insistoi duke thënë se LANÇ nuk ishte luftë civile dhe se nuk ishte kriminel Spiro Moisiu, Haxhi Lleshi, Myslym Peza, apo Nazmi Rushti dhe mijëra të tjerë dhe se Agron Tufa ka shkelur ligjin.

“Asnjë nga punonjësit e institutit nuk disponon certifikatë sigurie. Duhet parë me kujdes e tërë moria e këtyre instituteve ose konceptojnë një organizim të ri ndoshta në drejtimin e Arkivës së Shtetit, ndërsa ju zoti Tufa për shkelje të rënda të ligjit duhet të kontrolloheni nga drejtoria e monitorimit të Kuvendit dhe ta lini detyrën si i papërshtatshëm”, deklaroi Braho.

Nga ana e tij kryetari i Ballit Kombëtar Adriatik Alimadhi, iu drejtua Spartak Brahos, duke i thënë, “Të biem kaq poshtë në nivelin e këtij budallait që nuk di asgjë për historinë. Kur ky thotë se ballistët thanin pula, po ju keni ngrënë koka njerëzisht, keni vrarë 4-6 mijë shqiptarë. Kush more kriminelët partizanë dhe komunistë. Nëse me jepni një dokument që Balli ka vrarë një komunist apo partizan jap dorëheqjen”. /a.y/noa.al