Transmetuar më 22-05-2019, 20:48

Një aksident tragjik i ka marrë jetën një efektivi shqiptar në Rumani.

Ervin Dervina, Oficer i Kontaktit i Shqipërisë pranë Qendrës për Forcimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC), u përfshi në një aksident rrugor ku edhe humbi jetën.

Aksidenti rezultoi fatal edhe për jetën e bashkëshortes së tij nga Rumania.

Lajmi është shpërndarë nga Policia e Shtetit shqiptar përmes një njoftimi për mediat.

Në aksident u përfshinë tre makina, njëra prej të cilave ishte e oficerit, me targa diplomatike.

Aksidenti ka ndodhur pas përplasjes midis dy makinave të vogla dhe një kamioni, ku mjeti i fundit është përmbysur ndërsa dy makinat e tjera kanë dalë nga rruga.

Dervina mbante në Rumani postin e Oficerit të Kontaktit të Shqipërisë pranë Qendrës për Forcimin e Ligjit në Evropën Juglindore.

Lidhur me ngjarjen Policia e Shtetit dha këtë deklaratë:

Njoftim për shtyp

Sot në Rumani, si pasojë e një aksidenti automobilistik, ka humbur jetën Ervin Dervina, Oficer i Kontaktit i Shqipërisë pranë Qendrës për Forcimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC), si dhe bashkëshortja e tij, shtetase rumune.

Policia e Shtetit shpreh dhimbjen dhe solidaritetin për familjarët e 41-vjeçarit dhe bashkëshortes, për humbjen e papritur dhe të parakohshme të të afërmve të tyre, si dhe është e angazhuar maksimalisht dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet rumune për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

/k.k/noa.al/