Transmetuar më 21-05-2019, 21:09

Ajo jeton në Itali prej 20 vitesh por nuk ka arritur ende të marrë nënshtetësinë në këtë shtet.

Bëhet fjalë për shqiptaren Adelina Sejdini, dikur e shfrytëëzuar si prostitutë, ndërsa tani po lufton me kancerin.

“Koha që më ka mbetur për të jetuar, do doja ta jetoj si një qytetare e denjë. Para se të vdes, dua nënshtetësinë italiane”, këto janë fjalët e 44-vjeçares shqiptare, Adelina Sejdini.

Ajo ka qenë viktimë e trafikimit dhe prej gati 20 vitesh jeton në krahinën e Brindisit dhe ende nuk është bërë nënshtetase italiane.

“Unë kam nevojë për kujdes të vazhdueshëm shëndetësor. Shteti italian, shumë vite më parë, më bindi të denoncoj tutorët, më premtuan mbrojtje, tani të më mbrojnë deri në fund,”-tha ajo më tej për mediat italiane.

Adelina 19 vjet më parë, pasi ishte rrëmbyer, përdhunuar dhe shitur, mbërriti në Itali dhe u shfrytëzua për vite të tëra si prostitutë, derisa u rebelua dhe bashkëpunoi me policinë ku çoi në arrestimin e dhjetëra njerëzve. 

Ajo i është drejtuar me një letër edhe Presidentit italian, i cili i është përgjigjur po me një letër se do të shikojë me kujdes situatën e saj./a.k/noa.al/