Transmetuar më 21-05-2019, 20:59

Në prag të demonstratës që opozita ka thirrur për më 25 maj dhe pasi kanë kaluar rreth 4 muaj nga përfundimi i protestës së dhjetorit, studentët kanë njoftuar se do të ngrihen sërisht në protestë.

Tubimi masiv është caktuar për ditën e nesërme përpara Ministrisë së Arsimit.

Lajmi prej disa ditësh qarkullon nga postimet që të rinjtë kanë bërë nëpër rrjete sociale.

Organizatorët sqarojnë se arsyet lidhen me pikat e paplotësuara të Paktit për Universitetin, duke bërë që gjendja në universitete të mbetet e njëjtë.

Të rinjtë theksojnë se protesta do t’i shërbejë vetëm çështjes së studentëve, duke i qëndruar larg politikës.

Protestës kombëtare studentore, e thirrur ditën e nesërme do t’i bashkohen edhe studentë të tjerë nga rrethet.

Në lidhje me këtë rikthim të protestave studentore, zëvendësministri i Arsimit, Redi Shtino, tha sot se pjesa më e madhe e pikave të paktit për universitetin janë plotësuar dhe brenda afateve të përcaktuara. Për pjesën tjetër të pikave të këtij pakti, ai tha se është ende duke u punuar.

Protesta do të nisë në orën 12.00 ndërsa nuk është parashikuar se kur ajo do të përfundojë.

Pas ditës së mërkurë përfaqësuesit e këshillave studentore do të mblidhen sërish për të vendosur se si do të vijohet më pas me organizimin e protestave të tjera.