Transmetuar më 21-05-2019, 20:53

Pasi opozita u largua nga Parlamenti, disa emra rezervë të partive opozitare nxituan të zënë radhën për tu bërë deputetë pasi e konsideruan këtë si një mundësi të artë karriere dhe ambicieje.

Por më së shumti ata janë pa përvojë dhe pa informacion të nevojshëm që duhet për njohjen e ligjeve, rezolutave, mënyrën si funksionon Kuvendi, etj.

Këtë fakt duket se e ka kuptuar dhe kupola drejtuese parlamentare dhe kreu i saj Gramoz Ruçi sepse kanë vendosur që ti fusin në trajnim deputetët e rinj për ti mësuar se si duhet të bëjnë punën në Parlament.

Ditën e sotme, Kuvendi i Shqipërisë organizoi një takim informues me deputetët e rinj, për prezantimin e shërbimeve të Kuvendit, detyrave dhe të drejtave në lidhje me statusin e deputetit.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe dy zëvendëskryetarët e Kuvendit, Vasilika Hysi dhe Myslym Murrizi.

Takimi u moderua nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj. Zyrtarisht Kuvendi njoftoi se Gjonçaj u foli deputetëve të rinj, për mënyrën se si funksionon Kuvendi.

Deputetët e rinj, thotë Kuvendi, u njohën me Shërbimin e Komisioneve Parlamentare, Shërbimin Juridik, Shërbimin e Marrëdhënieve me Jashtë, Shërbimin e Trajtimit të Deputetëve, Shërbimin e Marrëdhënieve me Publikun, Shërbimin e Teknologjisë së Informacionit, Shërbimin e Monitorimeve,  etj.

Deputetëve të rinj po ashtu u desh që tu jepen informacione të ndryshme edhe sa i përket orientimit dhe këshillimit. /noa.al/