Transmetuar më 21-05-2019, 15:12

Pas diskutimeve për rivendosjen e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë, Holanda është e shqetësuar edhe për trafikun e drogës.

Në një artikull të medias holandeze “Limburg” thuhet se shqiptarët kontrollojnë tregjet e drogës në Holandë.

Artikulli është shkruar pas arrestimit të 4 shqiptarëve të martën, tre burra dhe një grua.

“Policia arrestoi tre burra dhe një grua, të martën në një aksion të madh kundër një bande shqiptare të drogës. Policia dhe njerëz të drejtësisë kanë pushtuar dhjetëra ndërtesa, kryesisht në zonën e Sittard dhe Geleen”, citohet në artikull.

Një detaj interesant është edhe kodi i operacionit policor, “Shqipëria”, ndërsa në artikull shkruhet se me dhjetëra shqiptarë që jetojnë në Holandë kanë si aktivitet trafikun e drogës.

“Hetimi penal ka treguar se kryesisht njerëz me prejardhje shqiptare janë të përfshirë në kultivimin e kanabisit”, u shpreh në një deklaratë Policia Holandeze.

Shqiptarët duket se kanë përdorur një kompani që merret me transport për të paguar qiratë, në mënyrë që të mos zbuloheshin nga policia.

Sipas mediave holandeze, një kompani në Groenstraat në Geleen, u ka paguar qiranë shqiptarëve. Pikërisht kjo kompani dyshohet se bën edhe transportin e parave nga Holanda drejt Gjermanisë ose Belgjikës, pasi ka qendra në këto shtete. /k.k/noa.al/