Transmetuar më 21-05-2019, 14:54

Në prag të dy ndeshjeve të radhës, trajneri i ri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit ka mbledhur grupin e parë të futbollistëve.

Në këtë fazë, Edy Reja do të zhvillojë stërvitjen e parë në orën 17:00 të ditës së sotme, ku në dispozicion do të ketë 10 lojtarë bazë, dhe 12 të tjerë nga U-21.

Kujtojmë që kjo është listë paraprake, pasi lista zyrtare do të shpallet më 27 maj, në orën 11:00, kur edhe trajneri do të dalë në konferencë për shtyp.

Këta futbollistë u grumbulluan jo vetëm për të ruajtur gjendjen e tyre fizike, por edhe për t’u vëzhguar nga pranë nga stafi teknik i skuadrës.

Por, trajneri Reja vendosi që të grumbullojë në këtë fazë paraprake të përgatitjeve edhe 12 lojtarë të skuadrës së U21-shit, që sapo kanë përfunduar sezonin e tyre dhe që janë edhe në listën e trajnerit Alban Bushi për sfidën zyrtare me Turqinë dhe dy miqësoret me Uellsin.

Dy ndeshjet e radhës për Shqipërinë janë ato në 8 qershor me Islandën, dhe në 11 qershor me Moldavinë. /k.k/noa.al/