Transmetuar më 21-05-2019, 09:27

Pesë persona janë arrestuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Brendshme, të akuzuar se kanë lejuar ndërtime pa leje në Velipojë.

Pas një hetimi disa mujor me metoda pro-aktive janë vënë në pranga disa zyrtarë e persona që dyshohet se favorizonin ndërtimet pa leje kundrejt shpërblimit financiar.

Kjo në zona të shpallura të mbrojtura në Velipojë, Shkodër.

Mëngjesin e sotëm në zbatim të vendimit të Gjykatës, e cila ka caktuar masën ‘Arrest në burg” janë arrestuar P.Z., me detyrë Specialist në Hetimin e Krimeve, në Stacionin e Policisë Velipojë; R.B., me detyrë specialist i zonës, në Stacionin e Policisë Velipojë dhe R.K., me detyrë Inspektor i Policisë Ndërtimore në Bashkinë Shkodër.

Gjithashtu janë ndaluar edhe dy persona N.K., 45 vjeç, nga Mali Jushit, Shkodër dhe B.N., 37 vjeç, nga Velipoja.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra, punonjësit e Policisë dhe ai i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, dyshohet se kanë lejuar që në zonën e Velipojës, e klasifikuar si “Zonë e mbrojtur”, të kryhen ndërtime pa leje në masë. Nga veprimet hetimore të kryera, është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme për funksionarët publikë dhe dy shtetasit.

Të ndaluarit akuzohen për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”. /a.y/noa.al