Ku e bazon Rama paralajmërimin se kush pengon zgjedhjet i mbyllen dyert në SHBA dhe BE?
Transmetuar më 21-05-2019, 01:13

TIRANË, NOA.AL – Ditët e fundit, në mënyrë të përsëritur kryeministri Edi Rama ka deklaruar se individët të cilët përfshihen në akte të cilat çojnë në pengimin e zhvillimit normal të zgjedhjeve lokale të qershorit, do të privohen nga e drejta për të hyrë në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E vërteta është se, që të bësh një kërcënim të tillë do të thotë të godasësh pikën e dobët të shqiptarëve që është lëvizja e lirë e cila ka nisur vetëm para më pak se 9 vitesh pas mbi 65 vjet izolim.

Duke lëshuar paralajmërime të tilla, z.Rama shpreson se do të frenojë individët që mbështesin opozitën në planet e saj për të penguar zhvillimin e zgjedhjeve ku po merr pjesë vetëm Partia Socialiste dhe ndonjë parti vasale me ndikim të papërfillshëm në popull.

Por sa qëndron ky paralajmërim dhe sa ligjor është?

Për të vënë në zbatim një procedurë të këtillë, z.Rama mund të shfrytëzojë ministrinë e Brendshme e cila në fakt ka një precedent që zbatohet ende dhe pse është i paligjshëm.

Që prej muajit gusht 2017, ministri i Brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri firmosi një udhëzim për përdorim të brendshëm, raporton noa.al duke evidentuar pohime të zyrtarëve të MB dhe Policisë së Shtetit.

Në udhëzim i cili iu shpërnda të gjitha vendkalimeve kufitare tokësore, ajrore dhe detare në vend, urdhërohej ndalimi i daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë i çdo individi i cili në të kaluarën e tij rezulton me masë dëbimi qoftë administrative apo penale.

Udhëzimi përcakton se qytetarët të cilët janë deportuar në Shqipëri nga autoritetet e vendeve të tjera, futen automatikisht në një listë të zezë të organizuar nga ministria e Brendshme shqiptare.

Kur qytetarët i drejtohen pikave kufitare, në sistemin TIMS të vlefshëm vetëm brenda Shqipërisë, janë regjistruar gjithë shtetasit shqiptarë të deportuar. Ata nuk lejohen të dalin nga Shqipëria.

Ky udhëzim ka ngjallur dyshime të forta për ligjshmërinë e tij. Disa qytetarë janë ankuar se janë dëbuar ose kanë pasur ndalim hyrjeje për një periudhë të caktuar kohore vetëm në një vend të BE. Në këto kushte ndalimi i daljes së tyre nga vendi për të shkuar në shtetet fqinje apo gjetkë, por jo në atë ku janë deportuar, konsiderohet abuziv dhe antikushtetues.

Për më tepër, këta qytetarë kanë treguar se në vendet fqinje dhe të BE përjashtuar shtetin nga ku janë deportuar, kanë kaluar lirisht pasi nuk rezultojnë me një penalitet të tillë. E për ta provuar këtë fakt, këta qytetarë pohojnë se kanë kaluar nga kufijtë shqiptarë pasi kanë paguar ryshfet.

Paligjshmërinë e udhëzimit e pranojnë dhe zyrtarët e ministrisë së Brendshme. Të pyetur nga noa.al, zyrtarë të kufirit si dhe drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë pranuar se udhëzimi është i paligjshëm, por kanë shtuar se ai është hedhur për zbatim pa afat për të frenuar kërkesat për azil.

Në këtë pikë, lind dyshimi se paralajmërimi i Edi Ramës lidhet pikërisht me këtë udhëzim. Shtetasit që mund të përfshihen në pengim zgjedhjesh do të procedohen penalisht dhe pasi të kenë marrë këtë damkë, do të listohen në një tjetër listë të zezë e cila do ti bashkëngjitet udhëzimit të radhës për zbatim në vendkalimet kufitare.

Paralajmërimi i Ramës komentohet dhe nga politikani i njohur Dashamir Shehi. Ai shprehet i çuditur nga kërcënimi se, “kush cënon procesin zgjedhor më 30 qershor nuk do të ketë të drejtë të udhëtojë në Europë apo SHBA”.

Dashamir Shehi e quan paralajmërimin e Ramës si jonormal ndërsa shton se, nuk ka ligj që mund t’i ndalojë shqiptarët të lëvizin lirisht.

Z.Shehi thotë se ky është një plan tipik enverist.

“Më vjen të qesh sepse më kujtohet Enver Hoxha. Nuk e kuptoj se si një kryeministër kërcënon kundërshtarët politilë se nuk do të lejohen të hyjnë në SHBA dhe BE. Ai flet sikur të jetë në krye të qeverisë amerikane apo të ketë në dorë të prishë marrëveshjen e zonës Shengen".

Z.Shehi thotë se deklarata e Ramës ka probleme artikulimi normal mendor.

“Është më shumë çështje mendore që nuk ka aspak lidhje me politikën. Ai nuk është normal nga trutë. Këto që thotë ky nuk i thotë një i ri normal. Nuk ka ligj shqiptar apo ndërkombëtar që ka lidhje me këtë”, thotë Shehi.

Por nëse analizon si po zbatohet udhëzimi që privon disa mijëra qytetarë që janë deportuar në Shqipëri, më së shumti për qëndrim jashtë afateve të vizave apo për punë në të zezë ose falsifikim mjeti identifikimi për të emigruar, nuk është çudi që një tjetër qarkore policore të vihet në zbatim për ata që kapen për pengim të zgjedhjeve që gjithsesi është vepër penale. /noa.al/

Loading...
loading...
Loading...