Transmetuar më 20-05-2019, 22:03

Vetëm pse muri i kësaj shtëpie që shihni në foto, u bë pis me urinë, u nxit një konflikt mes dy familjeve në Itali, njëra prej të cilave shqiptare.

Shqiptari 37 vjeçar, kishte pikasur se italiani fqinjë, një 28 vjeçar, bënte urinën te muri i banesës së tij.

Fakti që ky burrë bëri urinën te muri i komshiut, ka degjeneruar deri në përdorimin e armëve, ku si pasojë dy persona kanë mbetur të plagosur. Kjo erdhi pasi italiani që urinonte në publik nuk duroi qortimin e shqiptarit dhe u përgjigj me forcën e armës.

Noa.al raporton se ka mbetur e plagosur bashkëshortja e shtetasit shqiptar si dhe një shtetas italian, të cilin e kanë zënë plumbat gabimisht dhe është në gjendje të rëndë.

Koloneli Marco Pettinato tha sot se ngjarja është regjistruar pardje në zonën Dronero, lokaliteti Prata Giovine të rajonit Cuneo, ku dy familjet, ajo shqiptare dhe ajo italiane u përfshinë në konflikt me njëra-tjetrën.

Sipas policisë italiane, pas një sherri shtetasi italian ka marrë armën dhe ka ka qëlluar drejt shtetasit shqiptar, por plumbat gabimisht kanë prekur bashkëshorten e këtij të fundit, 33 vjeçe dhe nënë e tre fëmijëve, si dhe kunatin 29 vjeçar të autorit.

Kanë qenë vetë fqinjët ata që njoftuan policinë, ndërsa dy të plagosurit janë dërguar menjëherë me plagë të rënda në spital.

Në foto shikoni pamjet pas krimit, koloneli duke folur për mediat, banesa ku ndodhi ngjarja dhe makinën e përgjakur ku u transportuan një nga të plagosurit.