Gjosha: Rama po çon vendin drejt konfliktit, kriza erdhi nga papërgjegjshmëria e qeverisë
Transmetuar më 20-05-2019, 10:56

Ish-ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha flet mbi krizën politike e kushtetuese që ka prekur vendin, duke theksuar se ajo ka ardhur për shkak të keqqeverisjes dhe papërgjeshmërisë së mazhorancës.

Për ish-deputeten e LSI-së “është e vështirë të mendosh që zgjedhjet në Shqipëri të realizohen sërish nga ata që shkatërruan standartin e zgjedhjeve të mëparshme”.

Ndërkaq Gjosha komenton edhe aksionin e opozitës, ku propozon gjithashtu që në vend te vendoset kultura e një qeveria tranzitore 3 muaj para zgjedhjeve, për të shkëputur çdo konflikt interesi dhe për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme.

Nga ana tjetër, ish-ministrja e Integrimit flet edhe mbi shanset e vendit për negocitat, qartësisht të pakta, duke paralajmëruar se nëse Shqipëria do të ndahej nga grupi me Maqedoninë e Veriut, do të thotë që të grupohet me Kosovën dhe Bosnjen duke i dhënë fund perspektivës së saj europiane në një të ardhme të afërt.

Vendi ndodhet në një spirale të rrezikshme, ku kriza e thellë politike e kushtetuese duket se po shkon drejt një kulmi. Si e komentoni situatën aktuale?

Unë mendoj se nuk ka pasur periudhë më të vështirë Shqipëria se kjo që po kalojmë në këtë momente, ku palët duken më të polarizuara se kurrë. Është një krizë Kushtetuese, institucionale dhe politike dhe kulmi i krizës arrin me rrënimin ekonomik dhe për pasojë me depresionin social. Mijëra të rinj dhe profesionistë kërkojnë të largohen duke marrë me vete edhe atë pak shpresë që ka vendi! E gjithë kjo është pasojë e një keq qeverisjeje dhe papërgjegjshmërie, ku etja për pushtet është kthyer në arrogancë dhe babëzi!

Kryeministri për të disatën herë ka theksuar në daljet publike se zgjedhjet e 30 Qershorit do zhvillohen në kushtet aktuale, pra pa pjesëmarrjen e opozitës. Sipas mazhorancës në dialog nuk mund të vihen në negociatë dy pika: data e zgjedhjeve dhe largimi Kryeministrit, kerkese kjo kryesore e opozitës. Si i shihni këto qëndrime..

Teknikisht kryeministri mund të vazhdojë me kokëfortësinë e tij për të bërë zgjedhjet e 30 qershorit, por zgjedhje dhe alternativë, në të vërtetë nuk ka. Kjo do të thotë të privosh gjysmën e popullësisë të marrë pjesë në zgjedhje dhe ta drejtosh vendin drejt konfliktit. Në një demokraci funksionale kjo është e paimagjinueshme. Është e vështirë të mendosh që zgjedhjet në Shqipëri të realizohen sërish nga ata që shkatërruan standartin e zgjedhjeve të mëparshme.

Në këtë kontekst, aksioni i opozitës për të mundësuar qeverine tranzitore do të vazhdojë të mbështetet tek protestat apo keto kohë deçizive për vendin do shihet edhe mundësia e dialogut me palën tjetër, qofte me ose pa negocim nderkombetar?

Protestat do të jenë të vazhdueshme sepse sepse ato janë një e drejtë legjitime e qytetarëve për të kërkuar të drejtat e tyre. Opozita gjithnjë ka qënë e hapur për dialog me njerëz të besueshëm brenda partisë Socialiste për ta zgjidhur këtë krizë. Qeveria tranzitore nuk mund të krijohet nga opozita, patjetër që ne kërkojmë njerëz të përgjegjshëm për ta mundësuar këtë opsion. Do të ishte mirë që kultura e një qeverie tranzitore të vendosej gjithmonë 3 muaj para zgjedhjeve për të shkëputur çdo konflikt interesi dhe për t’i siguruar qytetarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Sa mendoni se rrezikon vendi drejt skenarit tragjik të konfrontimit civil neëse deri me 30 Qershor situata vazhdon në kushtet aktuale? A ka ardhur koha që siç edhe Presidenti bëri thirrje, që të gjithë palët të marrin përgjegjësi?

Patjetër që palët kanë përgjegjësi por përgjegjësia më e madhe bie mbi kryeministrin e vendit, i cili duhet në rradhë të parë të sigurojë një klimë normaliteti në vend. Kërcënimi nuk është zgjidhja e situatave që mbartin konflikt dhe revoltë qytetare.

Po sa i përket qëndrimit te Kryeministrit i cili tha se kushdo që prek procesin zgjedhor do ti hiqet viza per në Amerikë e BE, çfarë mendoni?

Nuk dëshiroj të komentoj deklarata të thëna përçart!

Vetëm pak ditë më parë gazeta më e madhe gjermane BILD kishte një artikull mbi Shqipërinë, ku fliste për një shtet në duart e gangsterëve. Ndërkohë reagimi i mazhorancës shkoi deri aty sa e quajti këtë shkrim si të sponsorizuar nga opozita. Cili është komenti juaj për këtë artikull dhe qëndrimin e PS?

Është normale që mazhoranca të godasë këdo që thotë të vërtetën. E vërteta është e dhimbshme për ta sidomos në këto momente. Për kryeministrin duket qartë se fajin e kanë të gjithë përveç tij. Është momenti kur ne kuptojmë që qeveria është në përpëlitjet e saj të fundit. Sa i përket artikullit, unë mendoj se fatkeqësisht ai është një pasqyrë e trishtë e realitetit tonë, ku gjithësecili nga ne duhet të ndihmojë për t’i dhënë fund traditës së liderave autokrat!

Data vendimtare mbi përgjigjen për negociatat po afron. Ndërkaq sinjalet duken për një tjetër dështim, kujtojmë deklaratën se fundmi të kreut të opozites në Francë dhe po ashtu të Komisionerit për zgjerimin Hahn, i cili tha se Maqedonia e Veriut nuk duhet penalizuar për shkak të vendeve të tjera, duke nënkuptuar qartazi Shqipërinë…

Nuk është surprizë për mua ky vendim. Paralajmërimin tim e kam dhënë një vit më parë dhe fatkeqësisht kam hasur në vesh të shurdhët. Gjithmonë kam menduar se nëse Shqipëria do të kishte një shans të çelte negociatat, do të ishte vetëm prej Maqedonisë së veriut dhe jo përmbushjes së standarteve. Është e dhimbshme për mua të mendoj që ne jemi në një moment kritik ku jo vetëm negociatat nuk do të çelen por mund të bëhemi edhe pengesë për Maqedoninë e Veriut që ka sakrifikur aq shumë për këtë proces. Nëse Shqipëria do të ndahej nga kjo e fundit, do të thotë që do të grupohet me Kosovën dhe Bosnjen, duke i dhënë fund perspektivës së saj europiane në një të ardhme të afërt. Shqiptarët nuk e meritojnë këtë dhe qeveria ka përgjegjësi madhore!

Cili është komenti juaj mbi parrullën ne pallatin e ambasadorit Borchard dhe qëndrimin e autoriteteve që shoqëruan në polici dy të reja?

Më shumë shqetësohem për problemet reale të qytetarëve dhe për rikthimin e besimit dhe shpresës. Më shqetëson ekonomia e rrënuar, mungesa e investimeve, papunësia e lartë dhe qasja arbitrare ndaj biznesit. Të tjerat janë procese normale të një vendi që kërkon të rritet në pavarësinë e tij, dhe që luhatet mes demokracisë dhe autokracisë!

Po lidhur me qëndrimet e deritanishme te ndërkombëtarëve për situatën, çfarë mendoni? Kujtojmë se deri më tani askush, përveç deklaratës së CDU/CSU, nuk ka shprehur gadishmërine për të ulur palët në tryezë me qëllim zgjidhjen e krizës?

Ndërkombëtarët janë partnerët tanë dhe ata duan të shohin një Shqipëri me lidera që dinë të zgjidhin vetë problemet e brendshme dhe që kanë një kulturë dialogu. Besoj se kjo është për t’u vlerësuar. Se sa e maturuar është politika jonë për ta arritur këtë, kjo ende mbetet për t’u parë!

Loading...
Loading...