Transmetuar më 19-05-2019, 22:32

“Unë jam Klarenc Lelaj, banoj në Vlorë. Në 4 Janar të 2011-s më ndodhi një ngjarje e rëndë, një fatkeqësi e rëndë… Më fal, më fal… do më falësh”. 

Ndonëse kanë kaluar 8 vjet nga kjo ngjarje tragjike, Klarenc Lelaj e ka të vështirë të përmbajë lotët.

Atë 4 Janar, ai dhe bashkëshortja e tij humbën 2 fëmijët e vegjël, 3 dhe 4 vjeç. Për shkak të vështirësive ekonomike, ata punonin gjatë natës dhe fëmijët e mitur i linin vetëm në shtëpi.

Eni Çobani: Është totalisht e mirëkuptuar çdo lot i yti, kështu që kërkojmë ndjese ne, shqiptarët e tjerë, që akoma Shqipërisë nuk i kemi falur dot atë siguri jete që njerëzit të kenë mundësi të rrisin fëmijët e qetë. Sepse të dalësh natën, të dy bashkëshortët dhe të lesh dy fëmijë në shtëpi nuk është e lehtë, por nevoja ekonomike bën shumë familje të mbërrijnë në këto sakrifica.

Zoti Lelaj tregon më tej si ndodhi ngjarje e rëndë.

“Si pasojë e një tensioni të ardhur nga kabina brenda në shtëpi… pasi unë me bashkëshorten punonim në pastrim, e merrnim punën në orën 1 e gjysmë të natës dhe e linim në 8 të mëngjesit. Kishin një periudhë kohe që punonim, për të siguruar jetesën e fëmijëve”.

Eni Çobani: Kishit kaq siguri që t’i linit vetëm dy fëmijë të vegjël?

Klarenc Lelaj: Kishim siguri në kuptimin që unë i kisha lënë të gjitha të siguruara, të mbyllura. Madje edhe salvavitat atë ditë që ndodhi ngjarja unë i kisha ulur dhe nuk kuptoj sesi ka ardhur tensioni i lartë brenda në shtëpi. Kjo është absurde. Shumë të siguruar ikëm në punë dhe kur u kthyem gjetëm atë që kishte ndodhur.

Për këtë fatkeqësi, familja e Klarencit ka përfituar një shpërblim për të cilin pretendon se ia ka marrë avokati dhe njëra prej motrave, Mimoza, të cilën këtë të diel e kishte sjellë në një seancë ndërmjetësimi në “Shihemi në gjyq”.

Humbja e dy fëmijëve të mitur për familjen Lelaj ishte një tragjedi e cila nuk ka fjalë për t’u përshkruar. Në gjendje tejet të rënduar psikologjike dhe në vështirësi të mëdha ekonomike, pak muaj pas vdekjes së të vegjëlve, zoti Lelaj tregon se atyre iu afrua një avokat. Adrian Dauti u tha se u takonte dëmshpërblim dhe i siguroi që do të merrej ai me të gjitha.

Zoti Lelaj thotë se avokati u kërkoi që të firmosnin nëpër letra të bardha dhe me mirëbesim, firmosën. Për ngjarjen e rëndë u bënë disa gjyqe, të cilat familja Lelaj i fitoi. Nga këto gjyqe, kjo familje u dëmshpërblye në total me mbi 1 miliardë lekë. Ndonëse sipas ligjit dëmshpërblimi i takonte vetëm familjes, pra bashkëshortëve që humbën fëmijët dhe fëmijëve të tjerë të tyre, gjyqe bënë dhe fituan edhe tezet, hallat dhe gjyshërit. Sot, bashkëshortët Lelaj thonë se kanë marrë vetëm 60 milionë lekë të vjetra, ndërsa Mimoza, motra e Klarencit e cila nga gjyqi i fituar përfitonte 50 milionë lekë, thotë se ka marrë vetëm 4 milionë.

“Motra ime, sipas fjalëve të Adrian Dautit, ish-avokati përfaqësues ligjor në dëmshpërblimin kundër kompanisë CEZ, ka përfituar 50 milionë lekë. Motra thotë unë nuk kam marrë fare, lekët e tua i ka marrë ai i të gjitha”, thotë në studio Klarenc Lelaj. Vetë Mimoza pranon se nga avokati ka marrë 4 milionë lekë të vjetra, por jo 50 milionë sa pretendon vëllai i saj.

Mimoza: Unë të kam vëlla, vëllai nuk hidhet poshtë.

Klarenc Lelaj: Çfarë vëllai, po ti ke marrë lekët e fëmijëve të mi të vdekur moj. Zonja Eni, avokati më ka thënë se i kam ndarë paratë me motrën tënde.

Mimoza: Të njëjtën gjë më ka thënë edhe mua. Lekët e tua i ka marrë avokati dhe ai na ka përplasur të dyve Zonja Eni. Kemi dy vjet që nuk flasim.

Klarenc Lelaj: Nuk je motra ime moj…

Të rënduar psikologjikisht, bashkëshortët Lelaj ia besuan të gjitha proceset gjyqësore avokatit. Ky i fundit mori edhe firmat e dy vajzave të tjera të Klarencit, të cilat vijnë nga një martesë tjetër dhe jetojnë në Itali. Njëra prej tyre, Ada, e cila ndodhej në studio tregoi se në kohën kur ndodhi fatkeqësia kishte qenë ajo dhe motra e saj që iu ishin gjendur pranë të atit dhe bashkëshortes së tij, askush tjetër. Por ajo thotë se situata ndryshoi kur të afërmit e tyre morën vesh për dëmshpërblimin…

“Babi im nuk kishte as lekë për të ngrënë bukë. Unë me motrën time që jetojmë në Itali, i kemi dalë përballë për çdo gjë. Nuk ishte as halla, as xhaxhai, as gjyshi, asnjë njeri. Pastaj kur e morën vesh këta njerëz që për vdekjen e këtyre dy fëmijëve mund të ishte një shpërblim i madh lekësh, u dukën që të gjithë, erdhën që të gjithë në atë shtëpi, u kujdesën për babanë time”, tha Ada.

Ardit Gjebrea: Kjo është gjëja më e rëndë…

Por përse u përfshinë në dëmshpërblim hallat, tezet dhe gjyshërit? Po familja e prekur nga kjo fatkeqësi e madhe, përse nuk i pa kurrë ato para që sigurisht nuk mund t’ia kthenin mbrapsht fëmijët e humbur, por të paktën do t’ia kishin bërë jetën disi më të lehtë. E gjithë historia është e mbuluar me mistere, megjithatë juristja Eni Çobani thotë se do t’i shkojë kësaj çështjeje deri në fund.

“E vërteta zhytet, por nuk mbytet, do të dalë dhe do ta çojmë deri në fund. Ju e keni filluar dhe jeni në një proces gjyqësor. Sigurisht çdo gabim që bëhet nga institucionet është i pafalshëm, por mbi të gjitha unë jam e prerë përsa i përket moralit të familjes shqiptare. Ku janë shqiptarët me familjet e tyre? Ku është dashuria? Solidariteti? Dhimbja dhe mëshirimi në raste të tilla, shtrirja e dorës vëllait dhe motrës? Dhimbja ndahet dhe gëzimi gëzohet gjithmonë sëbashku. Do t’i lutesha edhe njëherë Klarencit të durojë, sepse çfarë ka vendosur ligji, do t’i marrësh herët a vonë”, tha Çobani.

Një thirrje e kishte edhe për Mimozën: “Kur të marrë edhe 46 milionë se 4 i ka marrë, të paktën tek varri i atyre fëmijëve do të çoni ndonjë tufë me lule?”

Mimoza: Zonja Eni, unë nëse i marr, të 46-ta, do t’i bëj edhe ato 4 dhe do t’ia çoj vëllait në shtëpi, këtu do jemi. Do vij tek Klani, do ta shikojmë, këtu do të jemi.

Eni Çobani: Kjo është arritja më e madhe e kësaj seance, thënia e kësaj motre që këtë shumë do t’ia çojë Klarencit që edhe sot është në vështirësi ekonomike. Klarenc, siç të kam ndihmuar deri më sot, pa asnjëlloj detyrimi, ashtu do të vazhdojmë sëbashku derisa ti të marrësh çfarë të takon dhe prap do ta bëjmë publike sëbashku edhe me këtë thënie publike të Mozës./klan