Transmetuar më 19-05-2019, 08:40

Sot mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Mitrovicës, ku të drejt vote kanë 57.983 persona në 87 vendvotime, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbahen në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 përqind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Për zgjedhjet në veri garojnë 12 kandidatë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar se do të mbajë pesë konferenca për media gjatë ditës së sotme për të dhënë detaje për procesin zgjedhor. Në orarin e përcjell nga KQZ-ja, konferenca e parë do të mbahet në orën 08:00 për të njoftuar për hapjen e qendrave të votimeve.

Në ora 11:30, KQZ-ja do të njoftojë për numrin e votuesve deri në këtë kohë. Edhe në orën 15:30 konferenca për media ka për qëllim që të njoftojë për numrin e votuesve dhe zhvillimet e tjera.

Kurse në orën 19:30, KQZ do të njoftojë për pjesëmarrjen në votime deri në mbylljen e vendvotimeve. Për konferencën e pestë, kur do të bëhen publike rezultate preliminare, thuhet se mediat do të njoftohen me kohë.

Në Komunën e Leposaviqit garojnë tre kandidatë për kryetarë, dy nga parti shqiptare dhe një nga një parti serbe, sikurse edhe në Zubin Potok, Zveçan e në Mitrovicën e Veriut, raportojnë mediat kosovare.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 8 prill kishte shpallur datën e zgjedhje të jashtëzakonshme për 19 maj në katër komunat veriore të Kosovës pas dorëheqjeve (27 nëntor, 2018) nga katër kryetarët e atëhershëm të këtyre komunave si masë kundërshtuese ndaj taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe.