Transmetuar më 17-05-2019, 06:44

Krahas superstradës Tiranë-Durrës ku do të aplikohet pagesë autostrade dhe pse nuk është e tillë, qeveria ka planifikuar të nënshkruajë kontrata koncesionare edhe për disa akse të tjera rrugore, një pjesë e të cilave janë në punim e sipër.

Bëhet fjalë për akset Tiranë-Elbasan, Rruga e Arbrit, Levan-Vlorë, Durrës-Fier, Levan-Tepelenë, Librazhd-Kapshticë dhe Tiranë-Hani i Hotit, që kanë qenë pjesë e planit të taksimit të vitit 2016 nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Parashikohet që tarifa e kalimit të automjeteve në këto rrugë do të të variojë nga 1 deri në 2.6 euro.

Në përllogaritjen e vlerës së taksës janë marrë në konsideratë veçoritë e ndërtimit të secilit prej akseve, duke i kushtuar rëndësi parësore vështirësive teknike dhe gjatësive të tuneleve.

Në këtë mënyrë, “Rruga e Kombit” dhe “Rruga e Arbrit”, pritet të kenë tarifën më të lartë të kalimit.

Derimë tani, është dhënë me koncesion vetëm “Rruga e Kombit”, ku për çdo kalim aplikohet taksa prej 660 lekë në një drejtim nga e cila janë të favorizuar vetëm banorët e zonës që përfitojnë nga reduktimi i detyrimit në 100 lekë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku, u shpreh se të gjithë projektet e rrugëve që synohen të jenë me pagesë, do të kenë edhe alternativën e tyre, që mund të aksesohet falas. Por duket se kjo është e vështirë pasi pjesa më e madhe e rrugëve janë rindërtuar mbi ato ekzistuese në një pjesë të tyre.