Transmetuar më 16-05-2019, 23:23

Fotografia e publikuar të enjten gjatë punimeve të Kuvendit të Kosovës, si dëshmi e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, është pamje e cila duket se është marrë nga faqe interneti me përmbajtje pornografike.

Mediat vendore në Kosovë kanë publikuar pamjet e njejta, duke u thirrur në faqet e internetit për të rritur.

Fotografia është publikuar nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, në kohën kur ligjvënësit po diskutonin rezolutën mbi “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”.

Fotografia kishte pamje të rënda grafike dhe si e tillë nxiti reagime të shumta, përfshirë këtu edhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila përmes një komunikate për media njoftoi se ka ftuar zonjën Brovina të ofrojë dëshmitë që ka dhe se do të hapë hetimet mbi fotografinë e publikuar.

Zonja Brovina, në orët e mbrëmjes, ka thënë për TV Dukagjinin në Prishtinë se "është e bindur që fotografia nuk është e rreme" dhe se informacionet mbi të do t’ia dorëzojë prokurorisë.

Ajo përsëriti atë që e tha edhe gjatë publikimit të fotografisë se "viktima në fotografi është gjallë dhe gjendet në Kosovë".

KUJDES! Pamjet dhe pse janë censuruar janë shqetësuese!