Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën për “Genocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë”
Transmetuar më 16-05-2019, 23:14

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën për “Genocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”. Për hartimin e kësaj rezolute kanë punuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike, përveç grupit të Listës Serbe dhe rrjedhimisht partitë politike kanë shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje njëzëri të rezolutës. Rezoluta u miratua me 79 vota për.

Para se të hidhej në votim, drafti i Rezolutës është diskutuar dhe në fund është harmonizuar nga të gjitha grupet parlamentare. Në rezolutë, vec te tjerash përmenden të gjitha vendet ku janë kryer masakrat, vrasjet, dhunimet seksuale si dhe dëbimi i më shumë se 1 milion shqiptarëve nga Kosova. Aty kërkohet që kryerësit e krimit të njerëzimit, krimit të luftës dhe gjenocidit e dhunës, të dalin para drejtësisë. Po ashtu, aty përmenden edhe dëmet materiale, shkatërrimi i objekteve të ndryshme fetare e kulturore.

Debati në lidhje me draft-rezolutën nisi gjate gjatë orëve të pasditës. Bilal Sherifi, nga partia Nisma Socialdemokrate, në emër te grupeve parlamentare, i cili prezantoi një pjesë të propozim-rezolutës për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”, tha se për 20 vjet, në vend që Serbia të dënohet për krimet, ajo po synon t’i amnistojë kriminelët. Prandaj,siç tha deputeti Sherifi, përmes kësaj rezolute, do të mundohen dhe do të kërkohet që kriminelët të dalin para drejtësisë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku tha se Serbia ka pasur për synim zhdukjen e popullit të Kosovës dhe spastrimin etnik. Sipas tij, shteti serb po vazhdon të fsheh gjurmët e krimeve të kryera dhe do të tentojë “të shlyejë kujtesën” e shqiptarëve.

Ndërkaq, deputeti partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj tha se partia e tij e mbështet në mënyrë unanime rezolutën për gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se rezoluta u referohet të gjitha dokumenteve evropiane e më gjerë, që kanë të bëjnë më krimet kundër njerëzimit, gjenocidit, e të tjera.

Gjatë zhvillimit të debatit për propozim- rezolutën, deputetët e partive politike në opozitë dhe atyre në pushtet, kanë zhvilluar një debat me akuza dhe kundër-akuza lidhur me mosmbledhjen e shifrave zyrtare e të sakta për vrasjet, masakrat dhe krimet e ndryshme që janë bërë nga forcat serbe në vitet 1998-99. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në fjalën e tij tha se në gjithë Kosovën në secilën lagje në çdo fshat e qytet ka fakte, e dokumente, e dëshmitarë për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë. Ai tha se të gjithë qytetarët e Kosovës presin drejtësi.

Po ashtu, edhe presidenti i Kosovës, i ka dhënë mbështetje nismës së Kuvendit, duke thënë se thënë se “është mirë që më në fund, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vendosur që në mënyrë të bashkuar të lëvizet përpara me nxjerrjen e një rezolute dhe dokumenteve tjera pasuese, ku dënohet qartë gjenocidi i Serbisë i kryer në Kosovë dhe kërkohet drejtësi nga të gjitha instancat ndërkombëtare”. Qëllimi përfundimtar, siç kanë thënë më parë zyrtarët e Kuvendit të Kosovës, është hapja e Tribunalit ndërkombëtar për krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë.

Loading...
loading...
Loading...