Transmetuar më 16-05-2019, 19:50

Presidenti amerikan Donald Trump shpalli të enjten planin e ri për luftën ndaj emigracionit, një plan që ka si synim ta largojë procesin e miratimit të kërkesave të emigracionit nga lidhjet familjare dhe nevojat humanitare. E thënë shkoqur, do të pengohen emigrantët që të bëjnë bashkim familjar duke i privuar nga jetesa së bashku në gjirin familjar.

Një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve në Kopshtin e Trëndafilave pranë Shtëpisë së Bardhë, para komenteve të Presidentit Trump, të enjten pasdite, se plani do të forcojë sigurinë e kufijve dhe do të krijojë një sistem të bazuar tek merita, duke këmbëngulur se bëhet fjalë për “një çështje konkurrence”.

Propozimi i zotit Trump, do ta mbajë numrin e kartave të gjelbra dhe statusit të banorit të përhershëm në rreth 1.1 milionë në vit, por do të ndryshohet mënyr se si përcaktohen, duke u dhënë përparësi individëve me aftësi të veçanta dhe të arsimuar, me perspektiva punësimi apo investimesh. Dhe këta do të përfitojnë në vend të atyre që duan të shkojnë në SHBA për shkak të lidhjeve familjare me qytetarë amerikanë ose emigrantë që kanë deri sot të drejtë të tërheqin të afërmit, kryesisht prindërit duke kryer bashkim familjar.

Aktualisht, 12 për qind e emigrantëve lejohen të vijnë në Shtetet e Bashkuara, bazuar në aftësitë e tyre dhe 66 për qind në sajë të lidhjeve me famljare që janë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara.

Sipas planit, këto shifra përmbysen krejtësisht dhe 57% për qind e vizave të emigrantëve do t’u jepen individëve me aftësi të veçanta apo oferta punësimi dhe vetëm 33% personave me lidhje familjare. Vizat për arsye humanitare do të reduktohen nga 22% në 10%.

Plani do ta eliminonte krejtësisht programin e lotarisë amerikane, në bazë të së cilit u jepen karta të gjelbra 50,000 njerëzve nga vende me përqindje të ulëta imigrantësh në Shtetet e Bashkuara.