Transmetuar më 16-05-2019, 16:11

Policia greke ka goditur një bandë shqiptarësh, të cilët kryenin grabitje me armë. Operacioni është zhvilluar në Athinë dhe në pranga janë vënë 6 shtetas shqiptarë.

Siç raportojnë mediat greke shqiptarët ishin kthyer në terror për bizneset, por edhe për banesat.

Shqiptarët e arrestuar janë të moshës 22, 26, 30, 31, 36 dhe 41 vjeç dhe nga hetimet rezulton se ata kanë kryer 9 grabitje me armë.

Shqiptarët mbanin maska gjatë grabitjes, ndërsa komunikimi mes grupit bëhej me anë të telefonit dhe kartat SIM ishin të regjistruar ne emër të personave që nuk ekzistojnë.

Në cilësinë e provës materiale, policia i sekuestroi armë zjarri kallashnikov, pistoleta, fishekë, maska, dylni dhe nje sasi te vogel kanabis.

Gjithashtu me këtë grup është arrestuar edhe një 26-vjeçare greke e akuzuar për fshehje krimi pasi ka strehuar një kriminel 40-vjeçar shqiptar edhe ky pjesë e grupit.

Nga hetimet e policisë bëhet me dije se të pandehurit, për gjashtë muaj, rresht kishin formuar një organizatë kriminale që sistematikisht kryente grabitje të armatosura.

Personat tashmë të arrestuar vepronin në grupe prej dy deri në pesë persona, me një përbërje të ndryshme për secilin rast. Sulmet kryheshin zakonisht ne mëngjes nëpër biznese pas kërcënimit me armë zjarri dhe me armë të ftohta të mprehta.

Autoritetet greke thonë se banda ishte shumë e rrezikshme. Dy prej tyre kanë rekord të rëndë kriminal.