Transmetuar më 16-05-2019, 14:13

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka zhvilluar sot një takim me një grup fëmijësh të shkollës 9-vjeçare “Skënder Caci”, në Tiranë.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Kreu i Shtetit thekson se kjo vizitë i ka zbukuruar ditën dhe i ka zëvendësuar diellin e munguar këto ditë në kryeqytet.

Ndër të tjera, Meta përcjell dhe një mesazh për gjithë politikën shqiptare, teksa shprehet se duhet të punojnë të gjithë së bashku për një Shqipëri më të begatë dhe më të bashkuar.

“Vizita e një grupi fëmijësh të shkollës 9-vjeçare “Skënder Caci” në Tiranë, ma zbukuroi ditën. Shkëlqimi në sytë e tyre, më zëvendësoi diellin e munguar këto ditë në kryeqytet, ndërsa pyetjet e tyre të mençura e befasuese, më rritën shpresën për të ardhmen e ndritur të kombit tonë!

Të mbështetemi fort në ëndrrat dhe çiltërsinë e fëmijëve, për të punuar të gjithë bashkë për një Shqipëri më të begatë e më të bashkuar”, shkruan Meta.