Transmetuar më 16-05-2019, 13:38

Kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla ka qenë i prerë sot teksa nga foltorja e Kuvendit ka deklaruar se zgjedhjet do mbahem në 30 qershor dhe nuk e luan as topi.

Sipas Ballës, ky është një fakt i panegociueshëm me askënd se Kushtetuta nuk është llastik, por është aty për të respektuar dhe PS është për ta respektuar, ashtu si mandatin e shqiptarëve për një kuvend me mandat 4 vjecar.

Ai ka lëshuar akuza ndaj opozitarëve, duke thënë se “PS nuk është si ato partitë që ju sollën ju këtu dhe tradhtuan mandatin e shqiptarëve. Aq e sigurtë është detyrimi që kemi ne për të zhvilluar zgjedhjet është njëlloj si dielli që lind në lindje dhe perëndon në perëndim, nuk i japim kurrë mundësinë Bashës dhe bandës së tij të huliganëve të marrin peng vendin”.

“Zgjedhjet do të bëhen në qershor dhe këtë nuk e luan as topi. Ne nuk do t’i japim kurrë mundësi Bashës dhe bandës së tij, që të marrin peng vendin dhe të përdhosin Kushtetutën e Shqipërisë. Beteja jonë është për të ardhmen e Shqipërisë.

Më 29 maj, në orën 12:30 gjithë shqiptarët do të marrin lajmin e mirë nga Komisioni Evropian për të rekomanduar përfundimisht fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Përpjekja e fundit për të penguar këtë lajm të mirë do të bëhet më 25 maj nga huliganët. Arsyeja pse opozita ka zgjedhur këtë rrugë lidhet me frikën e liderëve nga reforma, Berisha, Basha, e kryemadhi e dinë se reforma në drejtësi nuk mund të bllokohet”, u shpreh Balla.