Transmetuar më 16-05-2019, 12:54

Deputetja e opozitës së re, Rudina Hajdari ka bërë akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD, Lulzim Basha, ose siç e quan këtë të fundit kryetari në tentativë të legjionit të shpërbërë. Në një fjalim në Kuvend, Hajdari tha Basha dhe Rama kanë arritur një marrëveshje, por jo për shqiptarët, por për interesat e tyre.

Më tej kryetarja e grupit parlamentar të opozitës së re, është shprehur se Shqipëria nuk ka marrë fund, por janë pikërisht këta politikanë, që sipas saj kanë marrë fund dhe janë të frikësuar në palcë.

"Kryetari në tentativë të legjionit të shpërbërë, hedh molotov si të hidhet si oriz në dasma, shqiptarët s’dinë ku të trokasin. Shqiptarët nuk dinë cilës derë t’i bien, ndërkohë që në Tiranë po zhvillohet një teatër i shëmtuar i njerëzve që po shijojnë dashurinë në kohën e kolerës.

Ç’faj kanë njerëzit, rinia, biznesi? Kritika kryesore që iu bëj njerëzve është që të flasin me ndjesi dhe jo me fakte. Kësaj here do dal nga ky rregull dhe do flas me shpirt. Në kohë të jashtëzakonshme, është e udhës të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme.

Shumë njerëz më thonë “mos, se ky vend ka marrë fund, Shqipëria nuk bëhet, mos se këta janë të rrezikshëm, kanë bërë marrëveshje”. Por, unë e ndjej se nuk jam vetëm, ky vend nuk ka marrë fund, këta njerëz kanë marrë fund. Këta nuk janë të rrezikshëm, por janë të frikësuar në palcë. Këta kanë bërë marrëveshje”, është shprehur Hajdari./b.l/noa.al/