Transmetuar më 16-05-2019, 11:38

“Rënia në krye të detyrës e Dëshmorit të Atdheut, Major Klodian Tanushi la pas një dhimbje të madhe”.

Kështu shkruan Presidenti Ilir Meta, pas homazheve që mbajti ditën e sotme në nderim të major Klodian Tanushit, i cili humbi jetën gjatë misionit në Letoni.

Presidenti thotë se me mirënjohje dhe respekt u përul sot me nderim të thellë para tij, për sakrificën sublime dhe kontributin e çmuar që la pas, për patriotizmin, trimërinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë, që dëshmoi mbi 20 vite në Forcat e Armatosura, si dhe gjatë drejtimit të Kontingjentit ushtarak shqiptar në misionin e NATO-s në Letoni.

“Në këtë ditë të vështirë, ndaj dhimbjen e ngushëllimet më të sinqerta me nënën, babain, bashkëshorten, tre fëmijët e shtrenjtë dhe ushtarakët shqiptarë, për këtë humbje të pazëvendësueshme. Lamtumirë Major Klodian Tanushi! Kujtimi yt do të mbetet i paharruar”, shkruan Presidenti.

Në përfundim të homazheve, trupi i tij i pajetë do të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve, ashtu sikundër pak ditë më parë u përcoll kolegia e tij nëntetare Zarife Hasanaj.

Komisioni Qendror i Statutit “Dëshmor i Atdheut”, nën drejtimin e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, e shpalli major Klodian Tanushin, i rënë në krye të detyrës, “Dëshmor i Atdheut”. /a.y/noa.al

Ditë zie në nderim të tij, mbahen homazhet për major Tanushin