Transmetuar më 15-05-2019, 09:10

Mbërrin sot në atdhe, trupi i pajetë i major Klodian Tanushit, i cili humbi jetën në mision në Letoni, si pasojë e shpërthimit të një mine.

Mësohet se trupi i tij i pajetë do të mbërrijë në aeroportin “Nënë Tereza” me një avion ushtarak, ku do të pritet me nderimet e rastit.

Ndërkohë homazhet në nderim të tij do të mbahen gjatë së enjtes, më 16 maj, nga ora 10:00 -12:00, tek Muzeu Historik Kombëtar.

Në vijim, trupi i tij i pajetë do të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve, ashtu sikundër pak ditë më parë u përcoll kolegia e tij nëntetare Zarife Hasanaj.

Shpërthimi i minës ndodhi mëngjesin e të hënës së 6 majit në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATO-s “Enhanced Forward Presence”.

Grup i kontigjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, në ora 09.10 të 6 majit, mbetën të dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura.

Ngjarja ndodhi gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve. Nga ky shpërthim mbeti e plagosur dhe më pas humbi jetën nëntetare Zarife Hasanaj.

Të plagosur mbetën edhe komandanti i kontigjentit, Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj. Por pavarësisht ndihmës së marrë në spital, major Tanushi gjeti vdekjen më 10 maj. /a.y/noa.al